Aktualitet Politikë

Selia Blu i përgjigjet kryeministrit: Edi Rama sharroi me plumba të drejtën e votës!

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo u shpreh se shqiptarët duhet të protestojnë më 6 dhjetor. Duke iu përgjigjur kryeministrit Rama, sot në një deklaratë nga Selia Blu, theksoi:

Pikërisht në ditën kur vëmendja e shqiptarëve, medias dhe politikës është e plotë mbi primaret në Partinë Demokratike, nga strofulla e enverizmit nxjerr kryet me qoshe diktatoriale, lideri suprem i patronazhistëve.

Edi Rama sapo sharroi sërish me plumba të drejtën e votës dhe lirinë e zgjedhjes, kur iu referua patronazhistëve të tij, një sistemi infamoz dhe mafioz, që ka thyer rëndë besimin e shqiptarëve te zgjedhjet, duke i njollosur ato përmes spiunimesh e manipulimesh.

“Me sistemin e patronazhistëve jemi një makineri e pathyeshme”, – tha Rama. Ai harron, ose bën sikur, se çka ai quan sistem është kritikuar dhe kundërshtuar, si nga OD’HIR ashtu dhe nga Komisioni Europian.

Partia Demokratike dënon me forcë këtë riangazhim në poshtërsi dhe këtë mburrje në hajdutëri të Edi Ramës e shpurës së tij, me dosje që shtrihen nga malet e Dibrës në faqet e gazetës “Bild” në Berlin.

U bëjmë thirrje OSBE-OD’HIR/it, Komisionit Europian dhe të gjithë organizmave relevantë në çështjet zgjedhore e të demokracisë, të monitorojnë sjelljet repetitive dhe recidiviste të këtij vrasësi serial të proceseve zgjedhore!

Dy ditë para samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë, sot në një bashkëbisedim me qytetarë në rrjetet sociale, kryeministri Rama tha se nuk beson se do të ketë incidente. E ndërsa shprehu bindjen se PS-ja do t’i fitojë zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, një koment, shefi i qeverisë e kishte edhe për Primaret në PD.

Jemi të pathyeshëm! Këto janë zgjedhje me rëndësi të veçantë, i kemi dhënë shumë rëndësi. Ju jeni edhe dëshmitarë, në çdo zgjedhje përsosim organizimin tonë dhe jemi një makineri që nuk thyhet.

Të tjerët i duartrokasim në përpjekjet për t’u përmirësuar, por janë shumë larg nesh. Pastaj, ne e paguajmë me akuza jo na i grabitët, jo na vodhën, ne zgjedhjet i fitojmë!