Health & Beauty

Sëmundja që po kthehet në “vrasësin” e tretë më të madh të njerëzve në botë!

COPD është një sëmundje kronike e mushkërive dhe shkaku i tretë kryesor i vdekjeve në mbarë botën. Nën termin COPD kuptohen si bronkiti kronik ashtu edhe emfizema pulmonare. Emfizema pulmonare bën që indi i mushkërive të dëmtohet gradualisht dhe qeskat e vogla të ajrit, të quajtura alveola, të çahen. Me bronkitin kronik, mukoza grumbullohet në rrugët e frymëmarrjes duke e vështirësuar frymëmarrjen. Bronkiti gjithashtu shkakton kollë dhe mund t’i dëmtojë mushkëritë edhe më tej.

COPD është më e përhapur në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme dhe përbën 90% të shkakut të vdekjeve te njerëzit nën moshën 70-vjeçare. Numri i pacientëve me COPD është më i lartë në vendet e Azisë Juglindore dhe Paqësorit perëndimor. Në vitin 2018 COPD ishte një ndër katër shkaqet kryesore të vdekjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Afro 16 milionë amerikanë ishin të prekur nga kjo sëmundje. Gratë ishin më të prekura se burrat. Sipas saj, gratë rezultojnë të kenë një shkallë vdekshmërisë më të lartë se burrat. Numri i njerëzve që vuajnë nga sëmundja në Evropë mendohet të jetë përafërsisht 36 milionë.

Njerëzit që pinë duhan, cigare elektronike ose puro kanë një rrezik më të lartë të zhvillimit të COPD në krahasim me njerëzit që nuk pinë duhan. Në rreth 75% të rasteve të diagnostikuar me COPD të prekurit janë duhanpirës ose ish-duhanpirës. Kur pi një cigare, thith mijëra lëndë kimike të dëmshme. Ato mund të shkaktojnë inflamacion, të dëmtojnë indet dhe të ngushtojnë rrugët e frymëmarrjes. Këto janë simptoma karakteristike për COPD.

Të rrezikuar nga sëmundja janë edhe njerëz që në punën e tyre janë të ekspozuar ndaj lëndëve kimike, pluhurit ose tymit. COPD mund të zhvillohet gjithashtu tek personat që janë të ekspozuar për një kohë të gjatë ndaj ndotjes së rëndë të ajrit, si nga trafiku, fabrikat, termocentralet me qymyr ose zjarret në pyje. Por edhe njerëzit që nuk kanë pirë kurrë duhan mund të diagnostikohen me COPD. Infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes në fëmijëri favorizojnë COPD, sikurse edhe astmën. Faktor i rëndësishëm është edhe mosha, pas moshës 40-vjeçare rreziku rritet.

Simptomat më të zakonshme janë vështirësi në frymëmarrje, kollë kronike dhe lodhje. Me kalimin e kohës frymëmarrja bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe ndikon në jetën e përditshme. Kjo mund të shkojë deri aty sa njerëzit me COPD të kenë të nevojshme të përdorin gypa oksigjeni. Së fundmi, sëmundja mund të çojë në probleme psikologjike si depresion dhe ankth. Aktualisht nuk ka ndonjë kurë për shërimin e COPD, por simptomat mund të dobësohen. Gjëja e parë që duhet bërë është të shmangia e faktorëve të rrezikut si duhanpirja ose ndotja e ajrit.