Bota

Senati amerikan drejt përcaktimit të Rusisë si një shtet sponsorizues i terrorizmit!

Gjithmonë e më shumë, ligjvënësit amerikanë nga të dyja partitë kryesore po e shtojnë presionin mbi administratën e Presidentit Biden për ta përcaktuar Rusinë si një shtet sponsorizues të terrorizmit.

Në Dhomën e Përfaqësuesve u paraqit një rezolutë që i kërkon Sekretarit të Shtetit të bëjë këtë përcaktim, në kohën kur Kongresi duket i predispozuar të ndëshkojë Moskën për luftën e saj kundër Ukrainës. Rezoluta u propozua nga kongresmeni republikan Joe Wilson nga Karolina e Jugut dhe demokrati Ted Lieu nga Kalifornia, me synimin e qartë ta shtojë Federatën Ruse  në listën që përfshin Korenë e Veriut, Iranin, Sirinë dhe Kubën. “

Terrori rus duhet të ndalet,” thuhet në deklaratën e tyre.

Sipas Lieu, një përcaktim i tillë i Rusisë do të jetë një përpjekje e mëtejshme për ta ndëshkuar për agresionin ndaj vendit fqinj. “Me këtë përcaktim, Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje të ndalojnë eksportet me përdorim të dyfishtë në Rusi dhe të ndërmarrin veprime ekonomike kundër vendeve të tjera që bëjnë biznes me Rusinë,” u shpreh ai.

Së fundi, edhe lideri i pakicës në Senat, Mitch McConnell, republikan nga Kentaki, i bëri thirrje Presidentit Joe Biden të hidhet në veprim. Ai u shpreh se e konsideronte këtë një ide të mirë dhe tha se do ta mbështesë. McConnell vizitoi së fundi vizitoi Kievin dhe u takua me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.