Rajoni

Serbi/Mbyllen qendrat e votimit lidhur me referendumin, serbët e Kosovës votuan në 4 të tilla!

Qendrat e votimit ku qytetarët e Serbisë votuan sot në referendumin për ndryshimin e Kushtetutës në fushën e drejtësisë, janë mbyllur në orën 20:00.

Ndryshimet kanë të bëjnë me mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve në mënyrë që të zvogëlohet ndikimi politik në këtë proces, ka thënë Qeveria e Serbisë.

Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Republikan të Zgjedhjeve, deri në orën 18:00 votuan 25.25 për qind e votuesve të regjistruar.

Komisioni Republikan i Zgjedhjeve thotë se rezultatet e para të referendumit mund të priten pas orës 22:00.

Ndryshe, me ndryshimet ligjore, që u miratuan në fund të vitit 2021, është hequr pragu i daljes.

Kjo do të thotë se për t’u konsideruar një referendum i suksesshëm, nuk kërkohet që mbi 50 për qind e votuesve të votojnë, por vendimi merret nga shumica e votave.

Në referendum ka votuar herët në mëngjes edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Ai u tha gazetarëve se shpreson se ndryshimet në Kushtetutë do të konfirmohen sepse ato janë të rëndësishme për investitorët e huaj për të cilët sundimi i ligjit është një nga faktorët kryesorë kur vendosin për investime në Serbi.

Ivica Daçiç, president i parlamentit serb dhe lider i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), e cila merr pjesë në qeverinë serbe, tha gjatë votimit se nëse konfirmohen ndryshimet kushtetuese, legjislativi dhe ekzekutivi nuk do të kenë asnjë lidhje me gjyqësorin.

Në mëngjesin e 16 janarit, në referendum ka votuar edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç.

Të drejtë vote në referendum kishin mbi 6 milionë e 510 mijë votues, sipas Komisionit Republikan të Zgjedhjeve (KRZ).

Pyetja e referendumit thotë: “A jeni për konfirmimin e Ligjit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”, dhe qytetarët mund të rrethojnë “po” ose “jo”.

Mbrëmë vonë, Komisioni i Zgjedhjeve mori vendim që serbët e Kosovës të votojnë në katër qytete të Serbisë, Kurshumlia, Rashkë, Novi Pazar dhe Vranjë, kjo pasi Prishtina zyrtare nuk lejoi mbajtjen e referendimit serb në Republikën e Kosovës.