Rajoni

Serbia e Mali i Zi angazhohen për marrëdhënie të mira!

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, shpreson që vendi i saj të rivendosë marrëdhënie më të mira me Malin e Zi. Komentet i bëri pas takimit me homologun e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, në Beograd.

Kjo vizitë është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne. Patëm bisedime të mira, konkrete dhe pragmatike. Identifikuam çështje që mund t’i zgjidhim, si ajo e transaksioneve të drejtpërdrejta, që mund të fillojë të zgjidhet menjëherë. Bisedimet prekën edhe çështjen e ushqimit, energjisë e lidhjeve infrastrukturore. Përsa kohë ne kemi ushqim, partnerët dhe miqtë tanë në rajon do të kenë ushqim. Serbia ka ushqim të mjaftueshëm.

Bërnabiç ftoi Abazoviçin që Mali i Zi t’i bashkohet nismës Ballkani i Hapur.

Një gjë e tillë do të nënkuptonte një rajon shumë më të lidhur, siguri më të madhe, një shtysë më të madhe për ekonominë e besueshmëri për investime të huaja.

Nisma rajonale Ballkani i Hapur është krijuar nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Iniciativa përfshin qarkullim më të lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve e kapitalit, por pjesë e saj, ende nuk janë Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina.

“Ne jemi sot këtu për të kthyer një faqe të re dhe për të ngritur marrëdhëniet mes dy vendeve në nivelin më të lartë të mundshëm”, – tha kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç.

Ju te ne mund të gjeni një mik të madh. Nuk ka asnjë çështje të pazgjidhshme nëse ka vullnet të mirë. Dhe më besoni, ndjej se këtu ka vullnet të mirë.

Pas takimit me Bërnabiçin, kryeministri i Malit të Zi u prit në drekë pune nga presidenti serb, Aleksander Vuçiç. “U pajtuam të vazhdojmë të ndërtojmë marrëdhënie më të mira”, – shkruan Vuçiç në Instagram.

Marrëdhëniet mes dy vendeve pësuab rënie të mprehtë, pasi Mali i Zi ka shpallur pavarësinë në vitin 2006, duke u ndarë nga Unioni me Serbinë. Autoritetet në Mal të Zi kanë akuzuar shpesh Beogradin zyrtar për mbështetje të opozitës pro-serbe e pro-ruse atje, si dhe për mbështetjen e disa protestave në vitin 2020 kundër një ligji për liritë fetare. Këto protesta u organizuan nga Kisha Ortodokse Serbe.