Rajoni

Serbia ftesë Malit të Zi, t’i bashkohet “Ballkanit të Hapur”!

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç ftoi kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviç, që t’i bashkohet një takimi të nismës rajonale “Ballkani i Hapur” e që do të zhvillohet në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Vuçiç dhe Abazoviç u takuan sot ndërsa dy liderët po marrin pjesë në Forumin Ekonomik Botëror, në Davos të Zvicrës. Ky forum që nisi punimet më 22 maj dhe pritet t’i mbyllë nesër, mbahet pas një ndërprerjeje dyvjeçare për shkak të pandemisë koronavirus.

Në një postim në Instagram, presidenti serb shkruan:

Një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar çështje dypalëshe me Dritan Abazoviçin gjatë Forumit Ekonomik Botëror, por gjithashtu për ta ftuar edhe një herë që të bashkohet me ne, në takimin e nismës së “Ballkanit të Hapur” në Ohër.

Ndërkohë, shefi i qeverisë së Podgoricës deklaroi se “shteti i tij është duke bërë përpjekje për të promovuar një politikë të bashkëpunimit rajonal, të pajtimit, bashkëjetesës e kohezionit më të mirë ekonomik në Ballkanin Perëndimor”.

Në Twitter thekson:

Marrëdhëniet me Serbinë janë prioritet, jemi të gatshëm për bashkëpunim intensiv në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Nisma “Ballkani i Hapur” është vazhdimësi e “Mini-Shengenit ballkanik”, të prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut. Kur u paraqit nisma e “Ballkanit të Hapur”, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), në pushtet në Malin e Zi, nuk pranoi t’i bashkohej. Por, kryeministri i ri, Dritan Abazoviç e mbështet konceptin e kësaj iniciative ndërsa Kosova dhe Bosnja e Hercegovina nuk e përkrahin e vazhdojnë ta refuzojnë.

Po ashtu, gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Davosit, Abazoviç u takua edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Raportohet se të dy liderët biseduan për bashkëpunimin mes vendeve të tyre dhe projekteve infrastrukturore, që kanë për qëllim të krijojnë lidhje më të mira mes Prishtinës e Podgoricës zyrtare.