Rajoni

Serbia mban referendumin për ndryshimet kushtetuese në gjyqësor

Sot në orën shtatë janë hapur vendvotimet për referendumin për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë, në pjesën që ka të bëjë me gjyqësorin. Qytetarët do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre në mbi 8000 qendra votimi, të cilat mbyllen në orën 20:00.

Mbrëmë vonë, Komisioni i Zgjedhjeve mori vendim që serbët e Kosovës të votojnë në katër qytete të Serbisë, Kurshumlia, Rashkë, Novi Pazar dhe Vranjë, kjo pasi Prishtina zyrtare nuk lejoi mbajtjen e referendimit serb në Republikën e Kosovës.

Për këtë çështje Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutë kundër mbajtjes së këtij referendumi.

Me 76 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi rezolutën gjatë një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga kryeministri, Albin Kurti.

Sipas rezolutës, mbajtja e referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës, “cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare”.

Rezoluta u propozua nga katër grupet parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Grupit Multientik. Partia Demokratike në opozitë nuk mori pjesë në seancë.

Rezolutat e miratuara nga kuvendi nuk janë detyruese, por pasqyrojnë vullnetin politik.

Pas miratimit të kësaj rezolute ka reaguar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke thënë se përshëndet konsensusin mes grupeve parlamentare për votimin e klsaj rezolute.

Qeveria e Kosovës ka kundërshtuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës duke e quajtur shkelje të rendit kushtetues të Kosovës.

Kundërshtime lidhur me këtë qëndrim pati nga shtetet e QUINT-it.