Rajoni

Serbia mbledh Këshillin e Sigurisë, shkak Kosova!

Presidenti Vuçiç mbledh sot Këshillin e Sigurisë Kombëtare, pas vendimit të Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Europës. Zv.kryeministrja Donika Gërvalla e dorëzoi dje aplikimin dhe Vuçiç nxitoi të akuzonte Prishtinën se sipas tij, “shkeli brutalisht Marrëveshjen e Uashingtonit”.

Në shtator 2020, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, që u njoh si Marrëveshja e Uashingtonit, e firmosur në prani të presidentit amerikan të kohës, Donald Trump. Prishtina ra dakord për moratorium 1-vjeçar mbi përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia zotohej të ndalte fushatën kundër njohjeve të Kosovës shtet.
Moratoriumet nuk janë më të vlefshme, por Departamenti Amerikan i Shtetit i nxiti palët t’i vazhdojnë, për të mundësuar përparim në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Vuçiç tha se “Serbia do të bëjë më të mirën për të mbrojtur shtetin”.

Nuk duhet të përfshihemi në urrejtje e të hyjmë në psikozë konflikti, por të ofrojmë përgjigje të fuqishme në mënyrë të përgjegjshme e serioze.

Në parim, Qeveria Kurti miratoi dje nismën për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Europës e Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ngarkohet të zhvillojë të gjitha procedurat për anëtarësim, bazuar në ligjet në fuqi.

Më 16 mars, Federata Ruse u përjashtua nga ky Këshill, për shkak të agresionit në Ukrainë. Në mungesë të Moskës, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës. Duke qenë se vendimet merren me shumicë, mundësia e pranimit të Kosovës është reale.

Këshilli i Europës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Europë, me seli në Strasburg të Francës. I themeluar më 1949-ën, Këshilli mbron lirinë e shprehjes e të mediave, si dhe barazinë e pakicat në vendet anëtare. Kjo organizatë i ndihmon të luftojnë korrupsionin e terrorizmin, si dhe të kryejnë reformat e duhura gjyqësore. Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, por ende nuk ka arritur të anëtarësohet në disa organizata të rëndësishme ndërkombëtare.