Rajoni

Serbia tenton të çojë në Kosovë material zgjedhor për referendumin, por pa sukses!

Me pyetjen: “A jeni për konfirmimin e aktit të ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”, nesër në Serbi zhvillohet referendumi për ndryshimin e ligjit themeltar të shtetit. Përgjigjet janë me “po” ose “jo” ndërsa ndryshimet që lidhen me mënyrën e zgjedhjes së gjyqtarëve e prokurorëve e aspak me Kosovën, synojnë harmonizimin e legjislacionit me atë europian, në procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Europian.

Deri tani, zgjidhen nga Parlamenti e me këto ndryshime, kërkohet që OK-ein ta japin Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe ai i Lartë i Prokurorisë. Që referendumi të jetë i suksesshëm, nuk kërkohet mbi 50% e pjesëmarrjes, pasi vendimi do të merret me shumicë votash.

Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë njofton ndalimin në Merdare të një zyrtari të Komisionit Republikan Zgjedhor, i cili përmes kësaj pike kufitare, tentoi të dërgojë materiale elektorale në Kosovë për referendumin.

Koordinatori Marko Jankoviç shoqëronte dy kamionë ku transportoheshin këto materiale, që u sekuestruan. Me Jankoviçin u arrestuan edhe dy drejtuesit e automjeteve. Për rastin u njoftuan zyrtarët europianë e të OSBE-së në Kosovë.

Një ditë më parë, Prishtina zyrtare e bëri të qartë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në Kosovë, përbën shkelje të Kushtetutës dhe ligjeve vendase. Serbët e Kosovës me dyshtetësi mund të votojnë bazuar në praktikat ndërkombëtare, çka nënkupton përmes postës apo Zyrës Ndërlidhëse në Prishtinë.

Po dje, zyrtarë të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara e Bashkimit Europian, thanë se “me keqardhje kanë pranuar vendimin e Qeverisë, për të mos e lejuar OSBE-në që të grumbullojë votat në Kosovë për referendumin në Serbi”.

Siç shpjegojnë përfaqësuesit e BE-së, qëllimi i ndryshimit të Kushtetutës së Serbisë është që të arrihet një gjyqësor i pavarur, pa ndikim politik dhe për sundimin e ligjit. Për sot në orën 14:00, kryeministri Albin Kurti paralajmëroi thirrjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës. Kurti e dha njoftimin pas takimit me zyrtarë të komunitetit ndërkombëtar në Prishtinë.