Rajoni

Serbia thotë se arritën dakordësi me KEDS-in për energjinë në veri të Kosovës!

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç bëri të ditur se “po shkon drejt fundit marrëveshja për energjinë me Kosovën”. Për këtë çështje pati negociata me Kompaninë për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike, KEDS.

Kemi pasur negociata me palën turke, me KEDS-in për praninë në veri të Kosovës. Për këtë ramë dakord. Shpresojmë të ketë mbetur vetëm ana teknike për t’u rregulluar e do të kemi rezultate të mira ditët në vijim.

Nga KEDS, nuk mohuan e as pohuan nëse pati bisedime me Beogradin për energjinë, por thanë se “çdo marrëveshje e arritur do ta përmirësonte situatën në veri të Kosovës”. Që nga fillimi i dialogut, çështja e energjisë elektrike në veriun me shumicë serbe ka qenë subjekt i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë. “Çdo marrëveshje e arritur do ta ndryshonte situatën për mirë”, – tha zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala për Radion Evropa e Lirë.

Nga ana tjetër, Qeveria e Kosovës ende nuk ka komentuar deklaratat e presidentit serb Vuçiç. Kompania Kosovare për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike, KEDS, që nga viti 2013 është nën menaxhimin e konsorciumit turk “Çalik-Limak”. KEDS ka ekskluzivitetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në të gjithë territorin e Kosovës, si menaxhon e mirëmban asetet në terren.

Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, që zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian, më 2013-ën, të dyja palët arritën marrëveshje për energjetikën. Por, nuk është zbatuar deri tani. Aktualisht, qytetarët serbë që jetojnë në veri të Kosovës nuk paguajnë për energjinë e harxhuar. Sipas Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë, KOSTT humbjet nga faturat e energjisë në veri vetëm për vitin 2021 kanë arritur shumën 40 milion euro.

Nga viti 1999 deri më 2017-ën, borxhin për veriun e kanë paguar qytetarët e Kosovës, nga komunat në jug të Ibrit. Por, më 2017-ën, këtë praktikë e pezulloi Gjykata e Apelit, pasi u vlerësua se “një gjë e tillë nuk ishte e ligjshme”. Më vonë, ky vendim u konfirmua edhe nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Faturat për energjinë në veri të Kosovës i paguan KOSTT-i, Qeveria e Kosovës.