Aktualitet

Sërish drogë në Portin e Durrësit, kapet heroinë në kamionin me krom!

Sekuestrohen 45.5 kg heroinë në Portin e Durrësit, dy të arrestuar. Në kuadër të operacionit të koduar “Portëz”, pas informacioneve në rrugë operative për një sasi lënde narkotike që do trafikohej drejt Italisë, droga u gjet në një kamion të ngarkuar me krom. Në flagrancë u arrestuan pronari dhe drejtuesi i automjetit ku heroina u zbulua e fshehur në pjesën e kabinës, e ndarë në 43 pako të mbështjella me natriban.

Njoftimi zyrtar:

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të drogave të forta, si rezultat i kontrolleve intensive dhe informacioneve të marra në rrugë operative nga strukturat hetimore për një sasi lëndë narkotike që do trafikohej drejt Italisë, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Portëz”, i zhvilluar nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit. Në kuadër të operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve,  O.D., 36 vjeç, banues në Fier si dhe  A.Ç.,  45 vjeç, banues në Durrës.

Task Forca bazuar në informacionet e grumbulluara, ka ushtruar kontroll të imtësishëm në kamionët në hyrje dhe në dalje. Gjatë kontrollit në dalje në vijën e dytë, në kamionin tip “Scania” në pronësi të shtetasit A.Ç., që drejtohej nga shtetasi O.D., i ngarkuar me krom, me destinacion shtetin italian, me konkretisht në kabinën e kamionit, u gjetën të fshehura 43 pako të mbështjella me natriban brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar heroinë, me peshë totale 45 kilogramë e 500 gramë.

Task Forca vijon veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale “Trafikimi i narkotike”, kryer në bashkëpunim.