Aktualitet

Sërish kokainë në kontenierë me banane, sekuestrohen rreth 100 kg

Sekuestrohet nje sasi e madhe kokaine ne Tiranë. Mësohet se lënda narkotike është gjetur në një kontenier me banane. Nga të dhënat paraprake raportohet se bëhet fjalë për mbi 1 kuintal kokainë. Deri tani janë dy persona të ndaluar, identiteti i të cilëve është ende i panjohur për publikun.

Kjo sasi kokaine ka qëndruar në portin e Durrësit në një kontenier me banane prej gati tre ditësh dhe ka qenë nën vëzhgimin e policisë përgjatë gjithë kësaj kohe.

Uniformat blu në bashkëpunim me agjentë të SPAK kanë ndjekur të gjithë itinerarin e drogës, ku nga porti i Durrësit ka shkuar në urën e Beshirit në Vaqarr, ku dhe efektivët ka ndërhyrë duke ndaluar 2 persona dhe sekuestruar sasinë e drogës.

Nuk dihet ende identiteti i 2 personave të ndaluar, roli i tyre si edhe kompania e bananeve ku ishte fshehur kjo sasi kokaine. Ky operacion është në vijim, ndaj priten të mësohen të tjera detaje.

Sasitë e drogës në konteinerët me banane është tashmë një skemë e njohur për uniformat blu. Hera e fundit që është kapur kokainë në Portin e Durrësit është ajo në konteineret e kompanisë “Alba Exotic Fruit”, kompani që i është gjetur plot 5 herë drogë.