Bota

Sërish rënie globale e infektimeve me COVID, por jo në Europë!

Edhe këtë javë, pandemia COVID-19 është ngadalësuar në të gjithë botën, duke vazhduar rënien që filloi një muaj e gjysmë më parë. Me mbi 422 mijë infektime të regjistruara çdo ditë në nivel global, treguesi ra ndjeshëm me 7% në krahasim me javën e kaluar.

Përhapja e shpejtë e koronavirusit që u konstatua në fillim të verës, nisur nga varianti shumë i transmetueshëm Delta, pësoi ngadalësim në fund të gushtit. Në shumë rajone ka përmirësime, por kjo nuk vlen për Europën e Oqeaninë.

Përmirësim të situatës epidemiologjike ka në Afrikë, Azi, në zonën Amerikë Latine/Karaibe, në SHBA/Kanada dhe në Lindjen e Mesme. Singapori, një nga vendet më të vaksinuara në botë është ai ku epidemia po përshpejtohet më së shumti me 3.300 raste të reja në ditë. Pas tij, përshpejtimet më të forta të javës janë të gjitha në Europën Lindore: Poloni, Letoni, Ukrainë, Rumani e Sllovaki. Në kontinentin e vjetër, shtetet e Lindjes janë më pak të vaksinuar se ato në Perëndim.

Sa i përket rënieve më të forta të infektimeve ditore, në javën që po lëmë pas kryesojnë Japonia, Vietnami e Maroku, për të vijuar me Bangladeshin e Afrikën e Jugut.  Në proporcion me popullsinë, pa mikroshtetet, vendi me më shumë raste të reja këtë javë mbetet Serbia, me 644 për 100 mijë banorë, përpara Mongolisë me 463 dhe Rumanisë me 440.

Vaksinimi

Vendet që vaksinojnë më shpejt këtë javë janë kryesisht në Amerikën Latine, Azi dhe Oqeani. Kuba është në krye, me doza të administruara për 1.37% të popullsisë së saj, çdo ditë. Sa i përket shteteve më mbi një milion banorë, lista vazhdon me Zelandën e Re, Korenë e Jugut, Australinë, Perunë e Vietnamin. Deri më sot, më të vaksinuarat në botë janë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Portugalia, ku 85% e popullsisë është plotësisht e vaksinuar. Më pas qëndrojnë Spanja, Singapori, Danimarka e Uruguaji.