Rajoni

Sërish shpërthime në veri të Kosovës, Sveçla: Zyrtarët komunalë të zgjedhjeve janë sulmuar me bomba dhe të shtëna në ajër!

Dy shpërthime u dëgjuan pasditen e së martës në Zubin Potok, ndërsa tri të tjera në Mitrovicë të Veriut – që të dyja komuna të banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës.

Sipas raportimeve të disa mediave serbe, shpërthimet në Zubin Potok ndodhën në kohën kur anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor, nën përcjelljen e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, hynë në hapësirat e objektit komunal.

Burime të REL-it thanë se në Mitrovicën e Veriut u dëgjuan sirena alarmuese para orës 15:00.

Paraprakisht, sipas tyre, anëtarë të Komisionit Komunal Zgjedhor, në prani të Policisë së Kosovës, tentuan të hyjnë në selinë e Komisionit Zgjedhor në këtë komunë.

Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konfirmuan për REL-in se zyrtarët komunalë të zgjedhjeve shkuan të martën në zyrat e tyre në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok, “me qëllim të ushtrimit të detyrave zyrtare”, por se një gjë e tillë “nuk ka qenë e mundur”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas disa shpërthimeve që kanë ndodhur sot në veri të vendit.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se sot Policia e Kosovës ka asistuar për funksionalizimin e zyrave të Komisioneve Komunale Zgjedhore në Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, me qëllim të vazhdimit të procesit përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale të 18 dhjetorit.

“Zgjedhjet janë e drejtë elementare e secilit qytetar në një vend demokratik. Policia e Kosovës pasi ka pranuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sot ka asistuar për funksionalizimin e zyreve të Komisioneve Komunale Zgjedhore në Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, me qëllim të vazhdimit të procesit përgatitor për zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale të 18 dhjetorit. Nga grupe të organizuara me disa individë prej tyre të maskuar, Zyrtarët Komunal të Zgjedhjeve dhe zyrtarët policor janë sulmuar me shok bomba dhe të shtëna në ajër, për të ndaluar ushtrimin e detyrës së tyre zyrtare”, ka shkruar ai.

Ministri i Brendshëm ka njoftuar se Policia e Kosovës tashmë ka filluar hetimet për të identifikuar individët e përshirë në këto rast.

“Sulme të tilla si ky sot me qëllim të bllokimit të procesit zgjedhor janë të papranueshme. Organizimi i zgjedhjeve është obligim kushtetues ndërsa pjesëmarrja në to është e drejtë e qytetarëve që nuk mund të cenohet nga askush. Policia e Kosovës tashmë ka filluar hetimet për të identifikuar dhe sjellur para drejtësisë të gjithë kriminelët e përfshirë në sulmet e sotme. Policia do të vazhdojë angazhimet sipas mandatit të saj në gjithë Republikën e Kosovës për ofrimin e sigurisë, garantimin e rendit dhe sundimin e ligjit”, ka shkruar ai.