Bota

Sërish viktima nga tornadot në Amerikë, shembet çatia e një teatri në Illinois!

Moti i keq, një person humbi jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur si pasojë e një stuhie e cila bëri që të shembej çatia e një teatri në Illinois të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, SHBA. Rreth 260 vetë ishin brenda teatrit Apollo, kur ra çatia në orën 19:55 sipas asaj lokale, referuar të dhënave të departamentit lokal të zjarrfikësve.

Shefi i zjarrfikësve, Shawn Schadle u tha gazetarëve se 28 persona u dërguan në spital, ndërsa pesë prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Amerika nuk po gjen qetësi nga kushtet e motit. Një seri tornadosh të fuqishme u regjistruan në disa shtete amerikane një ditë më parë, duke lënë të vrarë të paktën katër persona në vend.

Dëme të shumta u raportuan në pjesët e jugut e të perëndimit. Shtetet e Arkansasit dhe Misurit shpallën gjendjen e jashtëzakonshme. Qindra mijëra njerëz mbetën pa energji elektrike.

Një tornado e madhe goditi kryeqytetin e shtetit të Arkansasit, Little Rock, duke rrokullisur makina, shembur çati e rrëzuar pemë. Të paktën 24 persona u plagosën, sipas bilancit të dhënë nga kryebashkiaku. Guvernatorja Sarah Huckabee Sanders, konfirmoi vdekjen e dy vetëve në qytetin Wynne, rreth 170 kilometra larg kryeqytetit Little Rock.

Më shumë se 40 tornado u raportuan në gjashtë shtete amerikane dje në mbrëmje, sipas Qendrës amerikane të Parashikimit të Stuhive.

Disa fluturime në Aeroportin Ndërkombëtar të Çikagos O’Hare u shtynë ose u anuluan pasi pasagjerët u këshilluan të strehoheshin diku për t’i shpëtuar motit të keq, me pasoja shkatërrimtare

Kohët e fundit këto nuk janë të vetmet tornadot vdekjeprurëse në Shtetet e Bashkuara. Javën e kaluar pati fatalitete në Misisipi e Alabama, për shkak të tyre. 26 njerëz humbën jetën.

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, dje vizitoi Misisipin për të shprehur ngushëllimet e tij dhe përsëriti premtimin për ndihmë federale në minimizimin e pasojave.