Bota

Severodonetsk bie në duart e rusëve, marrin nën kontroll rajonin e Luhansk-ut!

Qyteti lindor i Ukrainës, Severodonetsk është plotësisht nën pushtimin rus, tha të shtunën kreu i administratës ushtarake të qytetit, pas muajsh luftimesh rraskapitëse dhe të përgjakshme, shkruan CNN.

Zyrtarët ushtarakë rajonalë thanë të premten se trupat e fundit në Severodonetsk ishin urdhëruar të largoheshin, pasi ishte e pamundur të vazhdonin të mbroheshin pozicionet e tyre.

“Rusët emëruan një komandant. Por qyteti është aq i shkatërruar sa do të jetë e vështirë për njerëzit të përballen me këtë situatë”, tha shefi i administratës ushtarake Oleksandr Striuk.

Severodonetsk ishte një nga bastionet e fundit të mëdha të Ukrainës në zonë. Serhiy Hayday, një komandant i lartë ushtarak në Ukrainën lindore, tha se ushtria mori vendimin për të evakuuar “sepse numri i të vdekurve në territoret e pafortifikuara mund të rritet çdo ditë”.

Disa qindra civilë ishin strehuar në fabrikën kimike të Azotit dhe refuzuan lutjet për t’u larguar.

Më herët të shtunën, Hayday tha se forcat ruse ishin ende duke bombarduar centralin.