Celebrities Film & Tv

Sezon i ri, protagonistë të rinj! Nga 5 Shtatori, Neada Muçaj i bashkohet “Wake Up”!

Mëngjesi në Top Albania Radio fillon me “Wake Up”. Programi i njëkohshëm radio-televiziv i Top Channel e Top Albania Radio, i cili në thelb ka përcjelljen e informacionit më të nevojshëm për mëngjesin. Programi nis analizat mbi lajmet e pritshme gjatë ditës, këmbimin valutor e parashikimin e motit. “Wake Up” vjen e thellohet me bisedat e mëngjesit me të ftuarit në studio. Bisedat janë përqëndrimi i mendimit e analizës apo i informacionit mbi gjithçka duke nisur nga politika, jeta e përditshme urbane e deri tek arti, spektakli dhe personazhet më interesante në vend.

Zgjimi në “Wake Up” është ritmik dhe me buzëqeshje. Gjatë tre orëve të transmetimit, veç informacionit tipik mëngjezor që tërheq vëmendjen e dëgjuesve dhe shikuesve, muzika e programit mbetet një nga armët e forta që prek te gjitha gjeneratat e audiencës dhe dëshiron që të jetë kolona zanore e çdokujt, që në nisje të ditës.

Këtë sezon të ri, “Wake Up” vjen me ndryshime. Së bashku me Blendi Salaj dhe Enxhi Nasufi, nga shtatori Neada Muçaj do të jetë moderatore e “Wake Up” në Top Albania Radio dhe Top Channel.

Edhe pse e diplomuar në Shkenca Politike pasioni i saj i vegjëlisë mbetet televizioni. Dëshira për të aktruar dhe moderuar nis me daljen e saj të parë në Top Channel në vitin 2008 në emisionin Top Show, duke imituar personazhe të njohur të ekranit. Më pas aktivizohet me Kripëmjaltëzat në prodhimin e Digitalb ‘Junior Club’ si një nga fëmijët e përzgjedhur me multitalente nga të gjitha shkollat e tiranës.

Dëshira për të qenë një ditë në ekran nuk humbet dhe në vitin 2016 nis një rrugëtim të ri si gazetare biznesi në revistën Business Magazine Albania. Tre vite më pas bashkëmoderon 2 sezone të ‘Think Big’, një format frymëzues me raste suksesi, startups dhe intervista me njerëz të arritur në botën e sipërmarrjes. Ajo gjithashtu vjen nga një eksperiencë e gjatë si gazetare biznesi dhe prezantuese lajmesh në ekranin e A2 CNN.