Aktualitet Travel

Sezoni veror, Durrësi kryesoi për numrin e vizitorëve!

Durrësi shënoi rritjen më të madhe të vizitorëve këtë sezon veror, duke i dhënë peshë gjithë rajonit qendror. Të dhënat e Institutit të Statistikave për strukturat akomoduese në korrik treguan se në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rajoni qendër ku bën pjesë Durrësi u rrit me 50%. Nga ana tjetër, veriu pati rritje modeste me 3% në korrik 2022 krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021-shit.
Sipas statistikave, jugu mbeti në të njëjtat shifra si të vitit 2021 ndërsa “braktisjen” e vendasve e balancuan të huajt.

Vizitorët jo-rezidentë u rritën me 23% për qind në rajonin qendër në korrik 2022 krahasuar me 2021-in. Turoperatorët raportuan se për Durrësin kishte një kërkesë 30 për qind më të lartë se kapaciteti akomodues i tij. Heqja e kufizimeve të pandemisë dhe çmimet më të arsyeshme në raport me shërbimin që ofrohet duket se nxitën kompanitë e huaja që ta kthenin në një destinacion të rëndësishëm. Edhe pse jemi në shtator, Durrësi vijon të ketë shkëlqimin e pikut të sezonit ku referuar fluturimeve nga Rinasi rezultojnë të paktën 14 charter nga Polonia, Norvegjia e Suedia, të gjithë pjesë e turizmit të organizuar.

Qendra shënoi dhe rritjen më të madhe të turizmit vendas, me 138% në korrik 2022, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në rajonin e jugut numri i turistëve vendas ra me 3.5% dhe në veri tkurrja ishte më e lartë me -20%. Tkurrja e turistëve vendas në veri u kompensua nga rritja e të huajve me 12%. Veriu është dhe rajoni më interesant për të huajt, duke tërhequr 41% të totalit, ndërsa qendra 31% dhe jugu 28%. Edhe në veri numri i turistëve jo-rezidentë ka qenë i lartë këtë korrik sipas të dhënave të strukturave akomoduese ku rritja e raportuar është 12.4%. Në jug, numri i të huajve në korrik 2022 ishte 4.2% më i lartë se korriku i një viti më parë.

Nga ana tjetër, këtë verë vendasit ishin në një “eksod” masiv drejt destinacioneve të huaja si një tendencë post-pandemi, por edhe për shkak të paketave agresive konkurruese me të gjitha të përfshira, të ofruara nga destinacione si Turqia, Mali i Zi e Greqia. Gjithsesi, pushuesit vendas në korrik patën rritje vetëm në rajonin qendër me 138% ndërsa në jug strukturat akomoduese raportuan rënie me 3.4% në raport me një vit më parë. Rajoni i veriut është prekur edhe më shumë nga mungesa e vendasve me një ulje prej 20% në korrik 2022 krahasuar me korrikun e një viti më parë.

Në strukturat akomoduese, shifrat e INSTAT-it për korrikun konfirmojnë edhe një herë deklaratat e turoperatorëve ku jugu u raportua sipas zonave nga Vlora në Sarandë me një okupancë që në korrik luhatej mesatarisht mes 50-70% edhe për shkak “të fushatës” së çmimeve të shtrenjta që nisi që qarkullonte masivit në rrjete sociale. Monitor