Politikë

Sfidat e parlamentit në 2023, Reforma Zgjedhore është kryesorja

Parlamenti do ti rikthehet punës javën e tretë të Janarit ku krahas projektligjeve prodhuar nga qeveria, kryefjalë do të ketë përmbushjen e reformës zgjedhore. Koha sa vjen e limitohet pasi zgjedhjet e ardhshme lokale janë diçka më shumë se 3 muaj larg.

Enkelejd Alibeaj ngulmon në propozimin se kandidatëve për kryetarë bashkie përmes ndryshimeve në kodin zgjedhor, duhet ti mundësohet të bëhen pjesë e këshillave vendorë nëse nuk arrijnë të fitojnë garën për tu zgjedhur krye-bashkiakë.

Por maxhoranca në këtë komision, nuk u pajtua me propozimin pasi tha se për këtë kemi pengesa kushtetuese.

Demokratët synojnë të avancojnë edhe një tjetër propozim, atë të pasjes të listave hapura për këshillat bashkiakë, njësoj siç ndodhi me zgjedhjet e shkuara parlamentare.

Edhe ky propozim nuk gjen mbështetjen e socialistëve sikurse zgjatja e afatit kohor prej 4 muajsh të parashikuar në Kodin aktual, ku nuk lejohet shfrytëzimi i burimeve shtetërore përpara zgjedhjeve.

Shqipëria vijon të mos ketë një kod zgjedhor të konsoliduar e të pandryshuar sa herë zhvillon zgjedhje të përgjithshme apo lokale.

Pas çdo palë zgjedhje, raportet e OSBE-ODIHR evidentojnë problematika të vjetra e të reja.

E si pasojë pas zgjedhjeve politika përfshihet në korrigjime të mundshme por asnjëherë të mjaftueshme në arritjen e zgjedhjeve perfekte.

Askush nuk mund ta thotë me siguri se deri në zgjedhjet lokale të 13 Majit, ky komision do të mund të ketë një produkt final të dakordësuar e votuar më pas në parlament me konsensusin e të gjithë spektrit politik.

Legjislatura e re parlamentare duhet të zgjedhë edhe avokatin e ri të popullit. Ndërsa një prej projekt-tigjeve më të rëndësishme të qeverisë do të jetë amnistia fiskale e rishikuar me sugjerimet e ndërkombëtarëve të cilët e kanë kundërshtuar draftin aktual.