Sociale

Sfidat e universiteteve online, studentët: Mungesë literature në gjuhën shqipe

Përveç vështirësive për qasje në internet, studentët sollën në vëmendje edhe mungesën e literaturave online në gjuhën shqipe.

“Një nga sfidat më të mëdha gjatë mësimit online ishte vështirësia e gjetjes së literaturës. Ishte gati e pamundur për një student nga zonat rurale që të gjente literaturën e nevojshme për përgatitjen në provime, detyrave të kursit apo temës së diplomës, sepse nëse do ishim në auditor zgjidhja do ishte ajo klasikja dhe e përhershme, vrapimi drejt bibliotekave dhe librarive”, shprehet Xhoana Selimaj që studion master shkencor Marrëdhënie Ndërkombëtare.

Sipas zv.dekanes së Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë për të zgjidhur këtë mangësi do duhet financimi dhe ndërhyrja e qeverisë.

“Ne ende kemi një problem ekzistues me literaturën në gjuhën shqipe, ajo nuk gjendet në formë elektronike dhe ky ka qenë një problem që studentët kanë hasur dhe duhet të tejkalohet. Mbi të gjitha është çështje financimi. Ne për fat të keq kemi probleme me bibliotekat fizike, le pastaj me ato online. Por, është një fushë që do të kërkojë pa diskutim ndërhyrje shtetërore”, thotë Elsa Skënderi, zv.dekane e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë.

Pas zhvillimit të mësimit online gjatë këtij viti akademik, studentët me konfirmimin e Komitetit të Ekspertëve do të rikthehen në auditorë vetëm për konsultime dy javë para nisjen se sezonit të provimeve.