Aktualitet Bota

Sfidoi dëbimin në Ruandë, shqiptarin e pret byzylyk elektronik në Britani!

Azilkërkues që në Mbretërinë e Bashkuar shkojnë me varka apo të fshehur nëpër kamionë, mund të shënjestrohen elektronikisht, të paktën sipas planeve të reja të Home Office-it. Siç shkruajnë mediat britanike, në fokusin e kësaj prove me kohëzgjatje 12 mujore do të jenë personat që në Britaninë e Madhe, hyjnë nga ato që nga Londra zyrtare përshkruhen si “rrugë të rrezikshme ose të panevojshme”.

BBC thotë se “me shumë gjasë, të parët që do të shënjestrohen, pritet të jenë njerëzit që në rrugë ligjore sfiduan me sukses dëbimin e tyre në Ruandë këtë javë, mes të cilëve edhe një shqiptar 26-vjeç”.

Kritikët thonë se ky plan i trajton emigrantët si kriminelë, përfshirë ata që ndoshta i largohen persekutimit në vendin nga vijnë. Ndërkohë, Ministria e Brendshme shprehet se “nisma që tashmë ka nisur nga zbatimi do të testojë në mënyrë më efikase, nëse gjurmimi elektronik ndihmon në mbajtjen e kontakteve të rregullta. Po ashtu do të verifikojë sa real është progresi i pretenduar prej tyre”.

Personat e shënjestruar mund t’i nënshtrohen masave të ngjashme me ato të një shtetrrethimi dhe nëse nuk i përmbushin kushtet e tyre, mund të kthehen në paraburgim ose të ndiqen penalisht.

Ende nuk dihet me saktësi se si do të merren vendimet apo se kush duhet shënjestruar, por udhëzimi i Home Office-it tregon se prej kësaj mase do të përjashtohen fëmijët e gratë shtatzëna. Po kështu, duhet verifikuar nëse pajisja do të arrinte të shkaktonte ndonjë dëm serioz për shëndetin mendor ose fizik të personit apo nëse ata kanë qenë viktima të torturës ose të skllavërisë moderne.

Megjithatë, udhëzimi britanik thotë edhe se “këta faktorë, nuk e ndalojnë në vetvete vendosjen e një pajisjeje gjurmimi”. Individëve që do të detyrohen ta mbajnë do t’u kërkohet të raportojnë rregullisht në një qendër emigracioni apo në një stacion policie.