Bota

SHBA dhe BE në një valë kundër Rusisë!

Liderët europianë reagojnë në prag të takimit të shumëpritur virtual mes presidentëve Biden e Putin. Siç bën të ditur BBC, ata i kërkuan presidentit amerikan të angazhohet në uljen e tensioneve me Ukrainën, për të mbështetur Kievin kundër kërcënimeve të Moskës.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë diskutoi me kryeministrin britanik Boris Johnson e udhëheqësit e Gjermanisë, Francës e Italisë, duke rënë dakord të përdorin çdo mjet në dispozicion, për të parandaluar agresionin.

Moska thotë se nuk ka asnjë plan të sulmojë Ukrainën dhe akuzon vendet perëndimore për provokim. Në një konferencë të zhvilluar mbrëmë, këto të fundit nuk e fshehën shqetësimin për ofensivën ushtarake ruse e konfirmuan mbështetjen për integritetin territorial të Ukrainës.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se kanë një strategji sanksionesh për të goditur ekonomikisht Rusinë, përfshirë bankat, në rast sulmi por jo kundërpërgjigje në nivel ushtarak.
Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price:

Nëse Rusia vijon me planet e agresionit ushtarak ndaj Ukrainës duke i shkelur sovanitetin, integritetin territorial e pavarësinë, me aleatët jemi gati të veprojmë!

Besohet se mijëra trupa ruse janë pranë kufirit me Ukrainën, por Kremlini akuzon Perëndimin se po rrit tensionet, me frymën agresive e retorikën armiqësore. Zëdhënësi Dmitri Peskov:

Presidenti Putin do të dëgjojë me vëmendje çdo propozim të homologut Biden për Ukrainën. Ka vetëm një mënyrë për të zbehur tensionet, të hiqet dorë nga qëllimet e Kievit për ta zgjidhur konfliktin në lindje të Ukrainës, përmes forcës.