Bota

SHBA, Dhoma e Përfaqësuesve miraton rregullat e kërkuara nga përfaqësuesit e linjës së ashpër!

Në Kongresin Amerikan, Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane miratoi një paketë rregullash të brendshme që ligjvënësve të djathtë të linjës së ashpër u japin më shumë ndikim ndaj kryetarit republikan të sapozgjedhur, Kevin McCarthy. Ligji kaloi me 220 vota pro dhe 213 kundër. Me argumentin se ishte plot me lëshime ndaj krahut të djathtë të Partisë Republikane, demokratët e kundërshtuan e po kështu, një republikan.

Paketa e rregullave për të drejtuar veprimtarinë e Dhomës së Përfaqësuesve në dy viteve në vazhdim, përfaqësoi një sprovë të hershme ndaj aftësisë së McCarthy-t për të mbajtur të bashkuar grupin e ligjvënësve të partisë së tij. Përpara se të zgjidhej kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve, iu desh të kalonte 14 raunde votimi për shkak të kundërshtive të 20 ligjvënësve të linjës së ashpër.

Ligji i ri përfshin lëshimet kryesore që kërkoheshin nga përfaqësuesit e linjës së ashpër e për të cilat ra dakord McCarthy gjatë përpjekjeve për t’u bërë kryetar. Ndryshimet mundësojnë që një ligjvënës i vetëm të bëjë thirrje për heqjen e kryetarit në çdo kohë. Po ashtu, vendosin kufizime për shpenzimet federale, duke e kufizuar ndoshta edhe mundësinë e vetë McCarthy-t për të negociuar paketat e financimit të qeverisë me presidentin Joe Biden, partia e të cilit ka shumicën në Senat.

Demokratët e dënuan legjislacionin, si një paketë rregullash për “ekstremistët e MAGA-s” (lëvizja e ish-presidentit Trump), që do të favorizonte korporatat e mëdha përkundër punëtorëve, do të dëmtonte standartet e etikës së legjislativit dhe do të çonte drejt kufizimeve të mëtejshme ndaj abortit. Ligjvënësi Jim McGovern:

Këto rregulla nuk janë një përpjekje serioze për të qeverisur. Janë në thelb, një mesazh pengmarrjeje për Amerikën nga e djathta ekstreme.

Në Dhomën e Përfaqësuesve, republikanët kanë një shumicë të ngushtë, 222 me 212, pasi fituan më pak vende se ç’pritej në zgjedhjet e mesmandatit që u mbajtën në nëntor. Kjo ka nxjerrë më në pah fuqinë e përfaqësuesve të linjës së ashpër dhe ka ngritur pikëpyetje se si do të funksionojë Kongresi i përçarë.

Ligjvënësit përballen me detyra jetike, përfshirë çështjen e kufirit të borxhit të qeverisë federale prej 31.4 trilionë dollarësh. Nëse nuk arrijnë të merren me këtë çështje ose qoftë edhe nëse krijohet një ngërç i zgjatur, kjo do të trondiste ekonominë globale.

Ndër ndryshimet e tjera është vendosja e një periudhe pritjeje prej 72-orësh nga momenti kur paraqitet një projekt-ligj dhe deri kur mund të hidhet për votim; vendosja e një tavani për shpenzimet qeveritare sipas niveleve të vitit 2022; si dhe krijimi i një komisioni për të hetuar Departamentin e Drejtësisë.