Bota

SHBA, disa qytete përgatiten për protesta pasi policia rrahu për vdekje një afro-amerikan!

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, policia në qytetin jugor amerikan Memfis publikoi një video ku tregohen pesë oficerë policie që rrahin për vdekje 29-vjeçarin afro-amerikan, Tyre Nichols, pas një ndalimi për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Pamjet tregojnë mënyrën si oficerët e rrahin brutalisht Nicholsin për tre minuta. Dy oficerë duket se e mbajnë atë në tokë, ndërsa të tjerët e shkelmojnë dhe e godasin me grushta. Të paktën njëri prej tyre përdor shkopin e gomës.

Në filmimet që zgjasin rreth një orë dhe që janë mbledhur nga kamerat e ndryshme që mbanin oficerët në trup, Nichols dëgjohet ndërsa thërret nënën e tij.

Si Memfis, ashtu edhe të tjera qytete amerikane po përgatiten për protesta të mundshme tani që policia i bëri publike pamjet filmike nga momentet e rrahjes. Por, familja Nichols ka bërë thirrje që protestat të jenë paqësore e të mos degradojnë në dhunë.

Ngjarja me pasoja fatale ndodhi më herët këtë muaj, pasi policia në qytetin Memfis të shtetit Tenesi e ndaloi për shkelje të rregullave në drejtimin e mjetit. Nichols vdiq tre ditë më vonë, duke mos iu mbijetuar dëmtimeve nga goditjet e shumta.

Oficerët e policisë të cilët ishin të gjithë afro-amerikanë u akuzuan të enjten për vrasje të shkallës së dytë dhe disa akuza të tjera penale. Që të gjithë janë shkarkuar.

Duke folur dje nga Shtëpia e Bardhë, presidenti amerikan Joe Biden u shpreh “shumë i shqetësuar” për mundësinë e shpërthimit të dhunës pas publikimit të filmimeve.

Biden bëri të ditur se më herët kishte bisedua me nënën e viktimës dhe paralajmëroi se do t’i bëjë thirrje Kongresit Amerikan që të miratojë legjislacion për t’iu kundërvënë dhunës nga policia.

Nëna e Nicholsit, RowVaughn Wells bëri thirrje të enjten që protestat të jenë paqësore.