Bota

SHBA do të shpojë për naftë në Alaskë/ Biden miraton projektin $8 miliardë për 180000 fuçi në ditë!

Administrata Biden ka miratuar sot një projekt gjigant shpimi e eksplorimi për naftë në Alaskë që duket se bie ndesh me disa nga politikat e majta të partisë së tij Demokrate.

Projekti Willow është dënuar gjithashtu nga grupe mjedisore që pretendojnë se Biden po shkel politikat e veta për ndalimin e shpimeve në toka publike.

Disa republikanë kanë lavdëruar lëvizjen si diçka që mund të bëjë të ulen çmimet e karburanteve, dhe për pavarësinë energjitike të SHBA.

Sipas planit të njoftuar nga autoritetet, kompania nga Houston, ConocoPhillips do të shpojë në tre vendndodhje në veri të Alaskës— rreth 200 puse.

ConocoPhillips, po kërkon të prodhojë naftën e gazin me të drejtat që ka blerë në vitet 1990, dhe thuhet se do të heqë dorë nga një pronë rreth 30 000 hektarë që ka blerë në fushat e rezervave të naftës në Alaskë.

Kompania thotë se projekti $8 miliardësh mund të prodhojë deri në 180,000 fuçi nafte në ditë dhe të krijojë rreth 1,800 vende pune gjatë ndërtimit si dhe të sjellë të ardhura për qeverinë federale.

Plani është vlerësuar në Alaskë, por është dënuar nga grupet ambjentaliste në rrjetet sociale.

Administrata Biden është nën presion për politikat e brendshme të energjisë pas çmimeve historike të larta të karburanteve.