Aktualitet

SHBA, Gjykata e Lartë refuzon shqyrtimin e apelit të Shkëlzen Berishës!

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara nuk pranoi të shqyrtonte apelin e Shkëlzen Berishës, djalit të ish-kryeministrit Berisha për akuzat ndaj tij. Por dy gjykatës konservatorë, Clarence Thomas e Neil Gorsuch vunë në dyshim mbrojtjet e parashikuara për median nga precedentët e Gjykatës e thanë se çështja duhej të merrej në shqyrtim. Duke cituar një ambient mediatik që po ndryshon me shpejtësi e gjithnjë e më shumë të mbushur me disinformim, në opinione të veçanta u shprehën se gjykata duhet t’i shohë me një sy të ri precedentët që e bëjnë më të vështirë për figurat publike të padisin për shpifje.

Refuzimi i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara ka të bëjë me shqyrtimin e apelit të Shkëlzen Berishës lidhur me padinë për shpifje mbi akuzat për korrupsion. Ato ishin pjesë e një libri të vitit 2015 të autorit Guy Lawson, me titull: “Arms and the Dudes” e mbi bazën e tij, në Hollivud u realizua filmi i vitit 2016, “War Dogs” me aktorët Jonah Hill e Miles Teller.

Në 2017-ën, Shkëlzen Berisha paditi në gjykatën federale Lawson-in e të tjerë për disa fragmente ku shkrimtari përshkruan mënyrën si tre djem “drogaxhinj” nga Miami Beach siguruan kontratë 300 milionë dollarëshe nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes në 2006-ën për të furnizuar me municion ushtrinë afgane dhe u përpoqën ta realizonin duke siguruar armë nga rezervat në Shqipëri. Libri flet për marrëdhënie mes tyre e mafian e lidhur me qeverinë shqiptare. Të tre personat nga Miami u dënuan në Shtetet e Bashkuara me akuza federale “Për mashtrim”.

Po sipas librit “Arms and the Dudes”, Shkëlzen Berisha ishte i pranishëm në një nga takimet e përshkruhet me “flokë të errët, mjekër të rrumbullakët e sy si peshkaqen”, si dhe akuzohet si pjesë e aferës të korruptuar të tregtisë së armëve.

Një gjykatë më e ulët vendosi në favor të Lawson-it, Shtëpisë Botuese “Simon&Schuster” e disa të pandehurve të tjerë pasi arriti në përfundimin se “Shkëlzen Berisha nuk ishte në gjendje të argumentonte se akuzat për përfshirjen e tij në një skandal të tregtisë së armëve u bënë me keqdashje të qëllimshme”. Një standard i tillë, që siguron mbrojtje nga paditë për shpifje, përfshin deklarata që bëhen me vetëdijen se janë të rreme apo shpërfillje për faktin nëse janë të vërteta apo të rreme.

Në 2020-ën, Gjykata e Apelit e Qarkut të 11-të me bazë në Atlanta e hodhi poshtë padinë. Gjykata arriti në përfundimin se “Berisha nuk mund të sfidonte lirinë e shprehjes për të pandehurit e akuzuar për shpifje nga zyrtarë publikë ose figura të njohura, të mbrojtur nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara”. Kjo mbrojtje ishte garantuar nga një sërë precedentësh të Gjykatës së Lartë që datojnë nga viti 1964.

Në apelin e tij në Gjykatën e Lartë, Shkëlzen Berisha argumentonte se ata precedentë duhej të ndryshonin dhe ta kufizonin standardin “për keqdashje të qëllimshme” vetëm për zyrtarët publikë.

Anëtarët e Gjykatës së Lartë, Thomas dhe Gorsuch thanë se gjykata duhej ta pranonte çështjen për shqyrtim. Sipas tyre, “Në mjedisin e sotëm mediatik, standardi i “keqdashjes së qëllimshme” mund të mbrojë gënjeshtrën në vend të së vërtetës, me pasoja për botën reale”.

Gjykatësi Thomas përmendi si shembull teorinë e rreme të konspiracionit “Pizzagate” që pretendonte se një piceri në Uashington përdorej për të fshehur një rrjet pedofilie të udhëhequr nga ish-kandidatja demokrate për presidente Hillary Clinton.

Si për figura publike ashtu edhe private, gënjeshtrat shkaktojnë dëm të vërtetë!

Gjykatësi Gorsuch:

Standardi aktual i “keqdashjes së qëllimshme” mund të jetë më pak i justikueshëm në kohën kur ndryshimet teknologjike dhe mediat sociale nënkuptojnë që disinformimi mund të amplifikohet më me efektivitet e të jetë më fitimprurës sesa lajmet tradicionale, me redaktorë dhe verifikim të fakteve.