Rajoni

SHBA: Masat e Kosovës për reciprocitet, plotësisht të koordinuara me ndërkombëtarët

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier ka konfirmuar se vendimet e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë për çështjen e targave dhe dokumentet e hyrje-daljeve ishin “plotësisht të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar”, raporton Gazeta Express.

Hovenier ka shkruar në Twitter se SHBA-ja mirëpret vendimin e liderëve të Kosovës për pezullimin e përkohshëm të këtyre masave të reciprocitetit.

“SHBA mirëpret vendimin e liderëve të Kosovës për të pezulluar përkohësisht zbatimin e masave të reciprocitetit për targat dhe dokumentet për hyrje/dalje, të dyja masat janë plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar”, shkroi ambasadori amerikan.

Në veri të Kosovës pati tensionim të situatës mbrëmjen e së dielës, pak para se të hynin në fuqi dy vendime që Qeveria e Kosovës i mori në fund të qershorit.

Pas të shtënave, vendosjes së barrikadave dhe incidenteve që e krijuan një atmosferë lufte në afërsi të pikëkalimeve kufitare me Serbinë në Jarinjë dhe Bërnjak, Qeveria e Kosovës u zmbraps.

Ambasadori Hovenier intervenoi duke u takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, të cilëve iu kërkoi ta shtyjnë zbatimin e këtyre dy vendimeve. Kërkesa u pranua.