Bota

SHBA, rëndohet bilanci i përmbytjeve në Kentucky/Të paktën 25 viktima!

Sa vjen e bëhet më shkatërrues bilanci i përmbytjeve në Kentucky të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Deri tani, janë 25 viktima, mes tyre 6 fëmijë. Shifrat i dha guvernatori Andy Beshear, i cili foli për “katastrofën më të keqe” në historinë e shtetit. Autoritetet druhen se numri i viktimave mund të dyfishohet.

Ende shumë vetë rezultojnë të zhdukur

Përmbytjet janë pasojë e shirave të rrëmbyeshëm që kanë përfshirë zonën prej të enjtes. Rritja e nivelit bëri që ujërat të vërshojnë nëpër shtëpi, biznese e rrugë në pjesën lindore të Kentucky-t. Ekipet e kërkim shpëtimit në terren po përdorin helikopterët për të ndihmuar shumë njerëz që zgjodhën të qëndrojnë në çatitë e shtëpive të tyre.

Mes historive tragjike që po evidentohen orët e fundit është edhe ajo e një çifti që humbi të katër fëmijët e moshave 2; 4; 6 e 8-vjeç dhe jetonin në një rulotë të rrëmbyer e të përplasur nga ujërat.

Biden deklaroi gjendjen e emergjencës

Presidenti amerikan, Joe Biden vendosi shpalljen e gjendjes së emergjencës në Kentucky. Gjithashtu, shefi i Shtëpisë së Bardhë dha urdhër të dërgohen ndihma në shtetin e goditur nga moti i keq. Sipas një njoftimi zyrtar, Biden vendosi edhe dhënien e fondeve federale për të mbështetur qeveritë lokale në rindërtimin postkatastrofë e përballimin e emergjencave. Zona e goditur nga moti i keq është një nga më të varfërat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.