Bota

SHBA, sulm me armë zjarri në Indianapolis, 8 viktima

Të shtëna me armë zjarri në Indianapolis të Shteteve të Bashkuara, raportohet për 8 të vrarë dhe disa të plagosur. Dëshmitarët thanë se dëgjuan të shtëna në një objekt të kompanisë së shërbimeve postare FedEx. Sipas tyre ishte një person i armatosur, i cili më pas vrau veten.

Policia amerikane doli me një njoftim zyrtar paraprak:

Ne lokalizuam tetë persona me plagë me armë zjarri, të cilët janë shpallur të vdekur në vendin e ngjarjes. Disa të tjerë u dërguan në spital me lëndime.

FedEx tha se kompania është në dijeni për të shtënat dhe se po bashkëpunon me autoritetet. Më tej nënvizoi se “siguria është përparësi” për të.

Ndërsa vijojnë hetimet rreth ngjarjes, ligjvënësi demokrat Andre Carson, i cili përfaqëson Indianapolisin tha se lutet për të gjithë të prekurit nga tragjedia. Carson bën të ditur se po komunikon me autoritetet lokale për të mësuar të gjitha detajet rreth tragjedisë.

Javët e fundit, në Shtetet e Bashkuara kanë ndodhur disa sulme të ngjashme. Më herët këtë muaj, si edhe në mars, 23 njerëz u vranë në Kolorado, Xhorxha e në Karolinën e Jugut.