Rajoni

SHBA-të: Kosova po vë në rrezik mundësitë që e ndihmuam të krijojë!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës thanë se me vendimet e vazhdueshme të pakoordinuara, Kosova po vë në rrezik mundësitë e krijuara edhe me ndihmën e Uashingtonit. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller përsëriti se Uashingtoni është i shqetësuar me vendimet e fundit të Kosovës, kur u pyet nëse duhet të ketë pasoja për autoritetet atje, pas mbylljes së disa objekteve të Postës së Serbisë në veriun me shumicë serbe, tre ditë më parë.

Ne besojmë se vënë në rrezik mundësitë, për të cilat ndihmuam Kosovën. Nëse e shikoni, që nga pavarësia e Kosovës, SHBA-të fuqishëm kanë mbështetur integrimin e plotë të vendit në komunitetin ndërkombëtar, si demokraci sovrane e multientike.

Por, për të realizuar këtë vizion që ndajmë, ne kemi bashkëpunuar me udhëheqësit e njëpasnjëshëm të Kosovës lidhur me masat për të fuqizuar paqen e prosperitetin në vend, duke avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike.

E nxisim qeverinë e Kosovës që të kthehet në angazhimin e ngushtë dhe konstruktiv me Bashkimin Europian, NATO-n e të tjerë partnerë ndërkombëtarë.

Zëdhënësi i DASH-it tha se këto qëndrime ia kanë shprehur edhe privatisht Prishtinës zyrtare, si dhe theksoi se nuk dëshiron të spekulojë lidhur me veprimet në të ardhmen. Tre ditë më parë, autoritetet në Kosovë mbyllën nëntë objekte të Postës së Serbisë në veriun me shumicë serbe. Vendimi u kritikua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.

Ndërkaq, ky vendim u prit me kritika të forta nga autoritetet në Serbi. Por, ato në Kosovë kanë thënë se objektet e mbyllura nuk kishin licencë për të punuar. Ambasada amerikane në Prishtinë reagoi më 5 gusht duke u shprehur se veprimet e pakoordinuara të Prishtinës “përballin shtetasit e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it me rrezik të madh, nxisin përshkallëzim të panevojshëm të tensioneve rajonale, si dhe minojnë reputacionin e vendit si partner i besueshëm ndërkombëtar”.

Amerika e BE-ja, po ashtu kundërshtojnë hapjen e urës mbi lumin Ibër për qarkullimin e makinave, siç synon qeveria e Kosovës. Disa serbë protestuan dje në Mitrovicën e Veriut për të kundërshtuar hapjen e urës që ndan Mitrovicën e Jugut të banuar me shqiptarë me të Veriut, me shumicë serbe.