Bota

Shefi i inteligjencës gjermane paralajmëron se forca të jashtme synojnë dëmtimin e shtetit!

Kreu i agjencisë së inteligjencës gjermane paralajmëroi të hënën për rritje të ekstremizmit antiqeveritar të nxitur nga aktorë të huaj si Rusia që kërkon të përçajë shoqërinë dhe madje të rrëzojë qeverinë.

Agjencitë gjermane të sigurisë kanë parandaluar disa komplote në vitet e fundit nga grupe të vogla të akuzuara për planifikim të sulmeve ndaj infrastrukturës kritike, zyrtarëve qeveritarë dhe madje edhe parlamentit.

Deri më tani ende nuk është e qartë se sa të avancuara ishin planet për sulme kundër rendit kushtetues në Gjermani, por autoritetet kanë treguar se grupet tanimë të ndaluara kishin siguruar armë dhe përfshinin njerëz që zakonisht nuk janë në radarët e agjencive të sigurisë, si gjyqtarë dhe oficerë policie.

Thomas Haldenwang, i cili drejton Zyrën Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, ose BfV, tha se përzierja e grupimeve të njohura më parë – nga ekstremistët e djathtë deri te ata që nxisin teori konspirative të ideologjisë “QAnon” – dhe gatishmëria e tyre për të përdorur dhunën ishte veçanërisht shqetësuese.

“Ajo që i lidh të gjitha këto grupe është se ata e përçmojnë shtetin dhe demokracinë tonë, e refuzojnë atë dhe duan ta përmbysin ”, thotë shefi i agjencisë të inteligjencës gjermane, Thomas Haldenwang, në një intervistë për agjencinë e lajmeve AP .

Zoti Haldenwang thotë se ekstremistët anti-qeveritarë përdorin me vetëdije çështje me rëndësi për publikun për të nxitur frikën dhe për të fituar përkrahës të rinj.

Këto çështje përfshijnë migrimin por edhe masat e qeverisë për të frenuar pandeminë e Covid-it dhe për të luftuar ndryshimet mjedisore.

“Të gjitha këto çështje mund të përdoren për të përhapur një teori të veçantë dhe për të dhënë përshtypjen se shteti nuk është në kontroll të situatave të caktuara dhe për këtë arsye ai duhet të rrëzohet”, thotë ai.

Këto përfshijnë planet e fundit të qeverisë për të nxitur gjermanët që të zëvendësojnë pajisjet e vjetra me naftë dhe gaz për ngrohje, me pajisje më efikase me energji elektrike dhe të padëmshme për mjedisin. Këto plane janë përballur me armiqësi nga partitë opozitare, por edhe grupet ekstremiste, që kërkojnë të shfrytëzojnë frikën e gjermanëve, se do të përballen me kosto të larta, pavarësisht paralajmërimeve nga ekspertët se pajisjet e tanishme janë më të shtrenjta në një plan afatgjatë.

“Sa më komplekse të jetë një çështje, aq më shumë ka një prirje për të kërkuar përgjigje të thjeshta dhe për të vrapuar pas njerëzve që ofrojnë një zgjidhje të lehtë për problemet. Shpesh këta njerëz janë nga qarqet ekstremiste”, tha zoti Haldenwang.

Shefi i inteligjencës gjermane thotë se përpjekje të tilla nxiten në mënyrë aktive nga vende si Rusia, e cila është e interesuar për destabilizimin e demokracisë në ekonominë më të madhe të Evropës.

“Kur e kuptojnë se disa ndjenja në vend mund të çojnë në ndarje, ata pëprpiqen t’i shfrytëzojnë ato. Dhe ne shohim një numër të madh masash që po merren për këtë qëllim”, tha zoti Haldenwang.

Zoti Haldenwang përmendi dezinformimin e përhapur nga media shtetërore ruse dhe platformat e internetit.

Përveç partisë së ekstremit të djathtë ‘Alternativa për Gjermaninë’, e cila është vënë nën vëzhgim nga inteligjenca gjermane, ndër figurat më të njohura, që sulmojnë qeverinë, janë ligjvenësja e ‘Partisë së Majtë’ Sahra Wagenknecht dhe vetë paraardhësi i zotit Haldenëang, Hans-Georg Maassen, i cili u shkarkua pesë vjet më parë pasi minimizoi dhunën kundër migrantëve.

Zoti Haldenwang paralajmëron gjithashtu se komplotet për grusht shteti, si ato që u parandaluan vitin e kaluar, ka të ngjarë të mos jenë të fundit

“Ne po i monitorojmë përpjekje të tilla intensivisht, me shumë kujdes, dhe jam i sigurt se do të jemi në gjendje të ndërhyjmë me kohë së bashku me agjencitë e tjera të sigurisë,” thotë zoti Haldenwang.