Bota

Shefi i NATO-s, Stoltenberg: Raketa në Poloni nga mbrojtja ajrore ukrainase/Ukraina nuk ka faj!

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se sulmi me dy viktima, dje Poloni, me gjasë u shkaktua nga mbrojtja ajrore e Ukrainës, por shtoi se Rusia mbetet fajtore pasi nisi luftën. Ndërkohë, konfirmoi se po vazhdojnë hetimet e se duhet të priten rezultatet e tyre. Por, “analizat paraprake të NATO-s sugjerojnë se u shkaktua nga një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase”. Sipas tij, “ky nuk është faji i Ukrainës”.

Stoltenberg shtoi edhe se nuk ka tregues që Rusia po planifikon sulm ndaj NATO-s, por duhet të rrinë “vigjilentë, të qetë e të koordinuar ngushtë”, pasi “lufta në Ukrainë mund të ketë pasoja për territorin e Aleancës”. Mbledhja në Bruksel e ambasadorëve të NATO-s u thirr me kërkesë të Polonisë, anëtare e aleancës.

Duke cituar dy diplomatë europianë, agjencia e lajmeve Reuters, tha se takimi në Bruksel mbahet në bazë të Nenit 4 të Traktatit të NATO-s. Sipas këtij neni, vendet anëtare mund të ngrejnë shqetësimin kur ndiejnë se “integriteti territorial, pavarësia politike ose siguria e tyre” janë në rrezik. Më herët, presidenti polak Duda, tha se “sulmi nuk ishte i qëllimshëm”.

Nëse Moska përcaktohej fajtore, mund të aktivizohej parimi i NATO-s për mbrojtje të përbashkët, i njohur si Neni 5, pra sulmet ndaj njërit nga vendet anëtare të Aleancës, vlerësohen si sulm ndaj të gjithëve. Neni 5 është baza e traktatit themelues të NATO-s, që u krijua më 1949-ën, me ushtrinë amerikane si shtyllën e saj kryesore, për të kundërshtuar Bashkimin Sovjetik e satelitët e tij të bllokut lindor gjatë Luftës së Ftohtë.

Aktivizimi i Nenit 5 nuk bëhet automatikisht. Pas sulmit në një vend anëtar të NATO-s, anëtarët e tjerë takohen për të vendosur nëse do ta vlerësojnë atë që ka ndodhur si situatë për Nenin 5. Më parë, Neni 5 i Traktatit të NATO-s është aktivizuar për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si përgjigje ndaj sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork e Uashington.