Aktualitet

Shembet mali në Rrugën e Arbrit, bllokohet qarkullimi, krijohet varg automjetesh

Bllokohet rruga e Arbrit për shkak të shembjes së një pjese të malit në vendin e quajtur “Qafën e Murrizit”.

Një masiv i madh dheu është shembur pak metra larg hyrjes së tunelit, duke bllokuar totalisht qarkullimin e automjeteve në drejtim të Tiranës dhe qyteteve të Qarkut Dibër.

Masivi i dheut i rënë prej afro 1 ore ka bërë që dhjetëra mjete që ishin nisur drejt Tiranës të bllokohen në rrugë duke krijuar varg të gjatë makinash.

E njëjta situatë është krijuar edhe në Byppas, ku vargu i automjeteve është krijuar deri në Qafën e Murrizit.

Deri tani firma nuk ka ndërhyrë për pastrimin e dheut, ndërsa pritet që policia të bllokojë kalimin në këtë aks rrugor me postoblloqe në fshatin Fshat dhe Bastar të Tiranës.

Reshjet e dëborës që kanë rënë gjatë natës kanë bllokuar segmentin e Qafë Thores, që të çon drejt Thethit. Lajmi është bërë i ditur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për qarkun e Shkodrës, teksa bëjnë me dije se kanë nisur punimet për të bërë zhbllokimin e rrugës. “Kanë rënë disa ortekë te tunelet të cilat kanë bllokuar përsëri për momentin segmentin e Qafë Thores. Po punohet në dy krahët për të bërë të mundur hapjen e rrugës”, thuhet në njoftim.

Moti i paqëndrueshëm ka përfshirë edhe qarkun e Elbasanit i shoqëruar me reshje shiu e dëbore në lartësi. Megjithatë akset rrugore nacionale janë të hapura për qarkullimin e automjeteve. Në segmentet Elbasan-Qafë Thanë, Librazhd-Sterblevë apo Gramsh-Moglicë ka pasur prani inertesh e aluvionesh por në sasi të vogel. Në segmentin Sterblevë-Klenjë ka prani dëbore deri ne 15 cm trashësi, por është është i kalueshëm për mjetet.