Aktualitet

Shëndetësia, debate Alibeaj-Rakacolli te Komisioni i Ligjeve!

Debate në Komisionin e Ligjeve gjatë shqyrtimit të projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Shqipërisë dhe BERZH-it”, për financimin shtesë për projektin “Përmirësimi i Sistemit të Shëndetësisë”. Në komision ishte zv.ministria e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, me të cilën debatoi demokrati Enkelejd Alibeaj, ndërsa iu drejtua me disa pyetje:

A mund të më thoni, sa është shifra totale e huave që Ministria e Shëndetësisë ka marrë deri më tani? Kam përshtypjen që nga Ministria e Shëndetësisë jeni kthyer në “Ministri Huamarrëse”. Çdo dy javë jeni për të marrë nga një hua. Keni parashikuar me të gjithë këto para’ që merrni hua të rrisni pagat e mjekëve dhe infermierëve? Në materialin tuaj, shoh që për këtë hua, keni parashikuar që një pjesë të shkojë për format e komunikimit, përfshirë sondazhe me qytetarët rreth shërbimeve shëndetësore. Do të doja një sqarim më të detajuar, si është përdorur projekti fillestar, huaja e parë, ku ka çaluar, pse detyroheni të merrni shtesë? Sa pjesë e kësaj shtese i dedikohet rindërtimit për shkak të tërmeteve. Sa përqind është për rindërtimin dhe sa mbetet si vazhdim i projektit fillestar?

Kur Rakacolli nisi të përgjigjej, Alibeaj e ndërpreu duke i kërkuar që t’i marrë përgjigjet me radhë.

Mira Rakacolli: Projekti fillestar është i përmbushur.

Enkelejd Alibeaj: Të më ktheni përgjigje që nga pyetja e parë.

Klotilda Bushka: Nuk keni pse merrni asnjë presion nga kolegët, zonja Rakacolli mund të përgjigjeni si të dëshironi! Ju lutem, a mund të kemi pak rregull? Nëse keni interes për çështje që të marrim të analizojmë të gjithë vitet, bëni kërkesë, merrni informacion. Këtë mbledhje nuk mund ta marrim peng. Këtu nuk bëhet debat për çdo çështje!

Mira Rakacolli: Projekti mëmë vazhdon deri në vitin 2024, ndërsa tjetri është shtesë. Tërmeti shkaktoi dëme që nuk mund të përballoheshin me burimet vendore dhe as me ato të parashikuara në projektin mëmë sepse parashikoheshin për aktivitete të tjera. Tërmeti dëmtoi ndërtesa e aparatura. Rreth 4.5 milion euro shkojnë për sistemin e informatizimit.

Të argumentojmë se çfarë është kjo hua që marrim dhe përse përdoret. Pagat e mjekëve dhe infermierëve janë rritur, deri në fund të mandatit do të rriten me 40%, por jo me paratë e kësaj huaje. Në Gjermani, njerëzit nuk ikin për shkak të pagës, por mjekët gjermanë shkojnë në Zvicër e Amerikë, pra është lëvizja e lirë e njerëzve. Nuk ja fus kot, se nuk jemi këtu për lojë kungulleshkash.