Lajmet e fundit

Shërbimi Informativ Shtetëror pritet të drejtohet nga një grua/ Rama i propozon presidentit Begaj emrin e Vlora Hysenit!

Frenat e drejtimit të inteligjencës shqiptare pas dorëheqjes të Helidon Bendos pritet t’i marrë një grua, nëse emri i saj do të pranohet nga presidenti Bajram Begaj.

Ajo është Vlora Hyseni ish zëvendës drejtore e Agjencisë së Sigurisë së Kosovës, aktualisht këshilltare për sigurinë e kryeministrit Edi Rama.

Kryeministri Edi Rama e nisi ditën e premte me një takim kokë më kokë me presidentin Bajram Begaj.

Fillimisht kabineti i kryeministrit tha se ishte një takim rutinë pune, ndërsa presidenca dha zero njoftim për qëllimin e takimit.

Por në fakt qëllimi takimit ishte zëvendësimi i drejtorit të SHISH.

Disa orë më vonë kryeministri Rama tha se “Sot i paraqita Presidentit të Republikës propozimin për emërimin e Znj.VLORA HYSENI drejtore e Shërbimit Informativ Kombëtar”.

Me këtë propozim kryeministri thotë se ka besimin e plotë se përgatitja e spikatur, eksperienca e krijuar në vite dhe respekti që zonja Hyseni gëzon në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës, përbëjnë një garanci të plotë për reformimin e mëtejshëm të shërbimit inteligjent shqiptar.

Zonja Hyseni e cila si këshilltare e kryeministrit Edi Rama ka mbajtur një profil tejet të ulët, më 1 Korrik të vitit 2021 me propozim të kryeministrit Albin Kurti u shkarkua nga posti zëvendës drejtores në “Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë”.

Në këtë post Vlora Hyseni qëndroi për katër muaj. Asnjëherë nuk u bënë publike arsyet e vendimit të kryeministrit Kurti për largimin e saj nga kjo detyrë.

Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës , Vlora Çitaku e komentoi largimin e Hysenit nga AKI si skandal, paranojë dhe papërgjegjësi të Albin Kurtit.

Në shtator të vitit 2021, Vlora Hyseni u zgjodh të punonte si këshilltare e kryeministrit Edi Rama.

Sipas ligjit për shërbimin informativ shtetëror paçka se kryeministri është propozuesi drejtorit të SHISH fjalën e fundit e thotë presidenti me dekretin e emërimit.

Natyrshëm edhe me bekimin e partnerëve sidomos atyre stacionuar në rrugën e Elbasanit, kontribuues e bashkëpunues me SHISH.