Aktualitet

Sherr banal në Sauk me tre të plagosur, mes tyre një kandidat i LSI-së në Tiranë

Një sherr për motive të dobëta në Sauk të Vjetër përfundoi me tre vëllezër të plagosur, mes tyre kandidati për deputet i LSI-së në Tiranë, Klodian Doka, i 32-ti në listë. 30-vjeçari dhe vëllai i tij më i vogël Oltjan Doka 23-vjeç morën dëmtime të lehta nga goditja me sende të forta, ndërsa 27-vjeçari Roland Doka u qëllua me mjet prerës dhe u dërgua në spital ku ndodhet jashtë rreziku për jetën.

Për ngjarjen e ndodhur rreth mesnate pranë zyrës elektorale të LSI-së në rrugën “Selim Braja”, policia shpalli në kërkim tre persona. Një i katërt u procedua në gjendje të lirë.

Më datë 17.04.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim E. S., 26 vjeç, A. M., 25 vjeç dhe S. K., 34 vjeç, pasi në rrugën “Selim Braja” në  Sauk të Vjetër,  janë konfliktuar për  motive të dobëta  me shtetasit K. D., 30 vjeç, E. D., 23 vjeç dhe R. D., 27 vjeç (vëllezër).

Si pasojë e konfliktit janë dëmtuar lehtë me sende të  forta  shtetasit K. D dhe E. D, si dhe është dëmtuar  me mjet prerës shtetasi R. D, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Në vijim të veprimeve u procedua në gjendje të lirë shtetasi B. H., 36 vjeç, pasi ka kanosur shtetasin K. D.