Aktualitet

Sherr i çastit në Vlorë, plagoset me thikë një 64-vjeçar/Pranga autorit!

Plagosje me thikë në Vlorë, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta. Një 64-vjeçar mbeti i lënduar, i goditur nga një shtetas i moshës 34-vjeç me të cilin u konfliktua në lagjen “24 Maji” të qytetit bregdetar jugor. Ky i fundit u arrestua në flagrancë, ndërsa i plagosuri u dërgua në spital pasi ka marrë dëmtime të rënda nga goditja me thikë e po mbahet nën kujdesin e mjekëve.  Mbi të arrestuarin rëndojnë akuzat “Plagosje e rëndë me dashje” e “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Njoftim i Policisë Vlorë:

Plagosi rëndë me mjet prerës (thikë) një 64-vjeçar, pas një konflikti për motive të dobëta, arrestohet në flagrancë 34-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, për një konflikt ndërmjet dy shtetasve, në lagjen “24 Maji”, Vlorë, kanë organizuar punën me qëllim zbardhjen e rrethanave të këtij rasti.

Si rezultat i veprimeve të shpejta procedurale, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit L. D., 34 vjeç, banues në Vlorë.

Nga veprimet hetimore të deritanishme, dyshohet se 34-vjeçari, mbrëmjen e djeshme, në lagjen “24 Maji”, pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta, ka goditur me mjet prerës (thikë) dhe i ka shkaktuar dëmtime të rënda, shtetasit R. K., 64 vjeç, banues në Vlorë, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.