Bota

Sherri Francë-Itali për emigrantët, asnjë shenjë zbutjeje të tensioneve diplomatike!

Përplasja Itali-Francë për emigrantët “trazon ujërat” në Bashkimin Europian. Nuk përjashtohet mundësia që një takim “ad hoc” për vlerësimin e krizës së re të emigrantëve e realizimin e një nisme europiane, përveçse në nivel teknik, të zhvillohet edhe në prani të ministrave të Brendshëm të vendeve të Unionit. Ky takim planifikohet të mbahet para Këshillit të Punëve të Brendshme, në program për javën e parë të dhjetorit.

Ndërkohë, disa vende europiane shpjegojnë qëndrimet e tyre, pasi Franca kërkoi të pezullojë zhvendosjet e emigrantëve në shtete të ndryshme. Gjermania u zotua të respektojë angazhimet, për aq kohë sa edhe Italia bën të njëjtën gjë.

Ne do të vazhdojmë t’i përmbahemi Mekanizmit të Solidaritetit ndaj vendeve që lejojnë zbarkimin e emigrantëve të shpëtuar në det. Kjo vlen shprehimisht edhe për Italinë, e cila ka lejuar zbarkimin e tre anijeve. Ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë për aq kohë sa Italia të përmbushë përgjegjësinë e saj për të mirëpritur emigrantët e shpëtuar nga deti.

Ndërkaq, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Luksemburgut deklaroi:

Nuk kemi ndërmend të pezullojmë pjesëmarrjen tonë në Mekanizmin e Solidaritetit për rishpërndarjen e emigrantëve dhe ne do të vazhdojmë të jemi solidarë. Për më tepër, shpresojmë që Franca e Italia të jenë në gjendje të zgjidhin mosmarrëveshjet shumë shpejt, në mënyrë që si europianë të mund të vazhdojmë të kërkojmë përgjigje europiane.

Odiseja njëjavore e “Ocean Viking”, që transportonte rreth 230 emigrantë të shpëtuar në Mesdhe mori fund me ankorimin e anijes në portin francez të Toulonit. Mjeti lundrues i organizatës civile të ndihmës “SOS Mediterranee” është në qendër të një sherri mes Parisit e Romës. Refuzimi i Italisë për të lejuar ankorimin, çoi në zhgënjimin e Francës.

Ndërsa krizës së menjëhershme iu dha fund, grindjet diplomatike mes dy vendeve anëtare të BE-së nuk treguan shenja të zbutjes. Ministri i Brendshëm francez, Gerald Darmanin u kundërpërgjigj duke njoftuar planet për të forcuar kontrollet në kufirin me Italinë. Në vendkalimin midis Ventimiglia-s e Mentonit, oficerët kontrolluan makinat që vinin nga Italia. Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni kritikoi Parisin duke thënë se “dukej i irrituar që duhej të pranonte 230 emigrantë”, teksa “nga fillimi i vitit, pothuajse 90 mijë emigrantë kanë mbërritur në Itali”.