Lulzim Basha ka reaguar pasi kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi vendosi që ta spostonte në fund të sallës së Kuvendit.
Gjatë një takimi me gazetarët, ai theksoi se debati për karrigen ka qenë që prej fillimit, ndërsa nuk e konsideroi një veprim kërcënues.
“Për fat të keq në këtë nivel të mjerueshëm ka rënë niveli i debatit, ka qenë debat për karrige, frymëzim i tyre prej fillimit, këtë betejë s’e nisëm për karrige, por për një akuzë për ndryshim, këtu s’ka gjë kërcënuese, vijon sindroma e karrigeve, ata që sot janë në PD janë dy grupe, Sali Berisha që do e përdorë si një bunkier për të mbrojtur familjen e vet nga SPAK dhe një grup tjetër që për karrige e nisën dhe për karrige do e vazhdojnë. Natën vërshon wiski, ngrenë dolli për fundin politik të Berishës me idenë se do i zënë vendin. Këta janë njerëz që ngritën kartonët për të liruar të korruptuarit e Ramës. Është vazhdimi i mjerimit të tyre.
Kanë humbur çdo sens lidhje me votuesit, me qytetarët, ngritën kartonat për të liruar të korruptuarit e Edi Ramës, s’ka asgjë të re, vazhdim i mjerimit të tyre. Ka një ndarje botëkuptimore me këta njerëz”, tha Basha.
Gjatë fjalës së tij, pas pyetjeve të gazetarëve, Basha theksoi se nuk do të jetë fraksion i ish-kryeministrit Sali Berisha.
“Të bëhesh fraksion i Sali Berishës, do të thotë të bëhesh fraskion i fraksionit të Edi Ramës dhe kjo s’ka për të ndodhur kurrë.
Qëndrimet tona janë qëndrime të pandryshuara sa i takon kauzës që kemi. Një politikë të pastër nga korrupsioni, një politikë në funksion të qytetarëve, një Parti Demokratike në funksion të largimit të Edi Ramës.
Dhe sot nuk mund të hiqet asnjë paralele me një Parti Demokratike të marrë peng nga një i shpallur non grata dhe në arrest shtëpie për korrupsion rreth të cilit një grup njerëzish që e shajnë nga mëngjesi në darkë dhe pastaj para ekranit bëjnë servilin për të kapur një karrige. Ky është një ndryshim besoj si nata me ditën, bardh e zi”, u shpreh Basha, ndërsa shtoi se do të konkurrojnë në zgjedhjet parlamentare në vitin 2025.