Bota

Shfaqet virusi i rrallë, në Britani mbërrin “Lija e Majmunit”!

Shfaqet një tjetër sëmundje e rrezikshme. Ministri britanik i shëndetësisë, Matt Hanckock nuk e fshehu shqetësimin që ka ngjallur shfaqja e këtij virusi të rrallë.

Përpara ligjvënësve ku po jepte dëshmi trajtimin e pandemisë së koronavirusit, Hancock pohoi se merrej edhe me një ‘shpërthim’ të një virusi të rrallë.

Ai nuk dha detaje të mëtejshme por “The Sun” thotë se dy raste të virusit vdekjeprurës të “lisë së majmunit” janë shënuar në Mbretërinë e Bashkuar. Kjo u konfirmua më vonë edhe zyrtarë të Shëndetit publik në Wales.

Të dy pacientët kishin qëndruar në të njëjtën shtëpi; nuk dihet sidoqoftë asgjë mbi moshën apo gjininë e tyre. Mësohet se njëri prej të prekurve është shtruar në spital. Nuk dihet se ku janë infektuar, por kanë ardhur nga jashtë dhe ky virus gjendet kryesisht në Afrikën Qendrore dhe Perëndimore.

Sëmundja e rrallë tropikale shkakton simptoma të ngjashme me gripin por dhe flluska në lëkurë.

Ajo shkaktohet nga një virus i përhapur nga majmunët, minjtë, ketrat dhe gjitarët e tjerë të vegjël dhe tek njerëzit, mund të përhapet nga kontakti të lëkurës, kollës, tështimave si dhe rrobave apo shtratit të ndotur edhe pse fatmirësisht transmetimi nuk është dhe aq i lehtë.