Sot Nuk Është e Hënë

Shfletimi i librave në radio…

Çdo herë që hapim një libër kujdesemi për veten tonë. Këtë e thonë ekspertët që tek leximi i librave shohin një kurë që është në gjendje të shërojë çdo shqetësim që ka lidhje me humorin tuaj.

Për të jetuar më mirë, për të kuptuar me më shumë lehtësi personat që na rrethojnë, duhet vetëm të lexojmë.

Kohët e fundit, njerëzit janë larguar nga libri dhe fatkeqësisht nuk mendojnë apo të arsyetojnë ashtu siç duhet. Rrallë sheh programe që iu kushtohen librave, por edhe më rrallë nëse dikush lexon libra posaçërisht për ju.

Fatmirësisht, kjo ndodh nën valët e Top Albania Radios, Koloreto Cukali vjen çdo të hënë me një libër me vete apo me një dije ndryshe nga të tjerat.

Leximi në radio është një frymëzim, ndoshta si ajo përralla që i lexohet fëmijës para se ta zërë gjumi. Sot jemi bërë paksa të gjithë dembelë ose fëmijë, por me leximet e Koloretos nuk keni për të mbetur asnjëherë pas.

Në programin “Sot nuk është e hënë” Koloreto Cukali ka përgatitur edhe rubrikën e leximit të librit. Pasi ai është i detyruar të qëndrojë këto ditë në karantinë. Ne kemi përmbledhur disa nga librat e tij që i ka shfletuar në studion e radios.

Përzgjedhjet e Koloretos, nuk do t’ju zhgënjejnë.

E nisim me përkthimin e Gjergj Erebara, “Asgjë s’është e vërtetë dhe çdo gjë është e mundur”. Ky libër është një lexim i domosdoshëm për të kuptuar makiavelizmin politik të shekullit të njëzet e një dhe teknikat e përdorura nga diktatorët e shekullit tonë.

Për të mësuar më mirë drejtshkrimin e gjuhës shqipe dhe gabimet e rëndomta që hasim në përditshmëri, në radio është lexuar dhe shpjeguar libri “Diturija” i vitit 1909. Një libër nga Lumo Skëndo, diskutohen gabimet në drejtshkrimin e shqipes të asaj kohe… që ngjajnë shumë me këto të 2020-s.

Ndërsa një libër që e ka zbuluar së fundmi, titullohet “Kohë Antishenjë” është i shkrimtarit të ndjerë, Maks Velo.

Gjithashtu nuk duhet humbur edhe libri “Sapiens”. Ky libër ka për synim të rrëfejë historinë e njerëzimit, që nga shimpazetë, mënyra se si organizoheshin dhe deri tek qënia që ne jemi sot. Shuani kuriozitetin tuaj duke zbuluar evolimin e njerëzimit vetëm në valët e radios sonë të dashur.

Këto dhe shumë të tjera, mund të na ndiqni edhe në kanalin tonë në YouTube, me programin “Sot nuk është e hënë”, njëra nga pjesët, siç e thamë edhe më lart, i dedikohet vetëm librit.