Çdo gjë është ashtu si duket

Shfrytëzimi i trupave të vdekur për arsye politike, i ftuar Klejd Këlliçi!

“Çdo gjë është ashtu si duket” vjen edhe këtë të enjte me një tjetër episod të veçantë. Një emision ndryshe nga të tjerët, për të gjithë dëgjuesit e Top Albania Radio-s, sot trajton temën e trupave të vdekur dhe se si ato shfrytëzohen për arsye politike. I ftuar për të folur për këtë temë sot ishte Klejd Këlliçi, profesor në Fakultetin e Shkencave Sociale. Ai në pjesën e parë të emisionit foli për raportin e një njeriu me trupin e vdekur, marrëdhënien shumë të ndërlikuar për shkak të afërsisë me atë person.

Ankthi i parë është ai i varrosjes. Është ankthi i përkujtimit, respektit për shkak të raportit të ndërtuar me njeriun e vdekur. I gjithë raporti apo procesi që krijohet pas vdekjes së një personi është tek adeti, tek procesi social.

Më tej ai theksoi pasojat që Covid-19 solli, teksa u prish ky adet, apo ky rregull i pashkruar u shkatërrua pasi në varrosjen e dikujt nuk mund të shkonte një numër i madh personash.

Covid theu një sërë rregullash sociale nga ato të cilat njerëzit sot rrallë tentojnë të shkëputen. Është shumë e vështirë.

Ndërkohë, në pjesën e dytë, i ftuari special tregoi se në një regjim komunist trupi i një armiku është trup armiku gjithmonë. Pra në disa raste kërkohet për arsye politike zhdukja definitive e një trupi, deri në shkatërrimin e eshtrave të kundërtshtarëve politikë të vdekur. Ai përmendi shumë raste në Shqipëri por edhe në botë, si për shembull ai i Fishtës, eshtrat e të cilit kanë humbur tashmë.