Një 37-vjeçare u procedua penalisht nga Policia e Tiranës, pasi u kap duke shfrytëzuar katër fëmijët e saj të mitur për të lypur në rrugët e kryeqytetit. Në njoftimin zyrtar të policisë bëhet e ditur se gruaja akuzohet edhe për kanosje, pasi kërcënoi punonjësen sociale që mori në pyetje të miturit. Rasti u evidentua në rrugën “Dritan Hoxha” dhe 37-vjeçarja akuzohet për dy vepra penale: “Keqtrajtimi i të miturit”, si dhe “Kanosja”.
Policia e Tiranës apelon për të gjithë prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve që të mos i shfrytëzojnë ata për lypje, pasi do të përballen me ligjin. Blutë kanë një plan masash për parandalimin e rasteve të fëmijëve në situatë rruge. Në vijim të veprimeve, materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Njoftimi i Policisë Tiranë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në zbatim të planit të masave për parandalimin e rasteve të fëmijëve në situatë rruge, të cilët shfrytëzohen për të lypur, kanë vijuar kontrollet intensive dhe kanë evidentuar një rast të kësaj paligjshmërie.
Në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasen N. R., 37 vjeçe, për veprat penale “Keqtrajtimi i të miturit” dhe “Kanosja”. Kjo shtetase është konstatuar në rrugën “Dritan Hoxha”, së bashku me 4 fëmijët e saj të mitur, të cilët i kishte nxjerrë për të lypur. Gjithashtu, 37-vjeçarja, ka kanosur me fjalë, punonjësen sociale.
Kontrollet kundër kësaj paligjshmërie do të vijojnë në të gjithë kryeqytetin. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë fton qytetarët që nëse do të konstatojnë raste të fëmijëve në situatë rruge, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.
Policia e Tiranës apelon për të gjithë prindërit dhe kujdestarët e fëmijëve që të mos i shfrytëzojnë ata për këtë aktivitet, pasi do të përballen me ligjin.