Aktualitet Lajmet e fundit

Shirat bllokojnë trafikun në Tiranë, “paralizohet” qarkullimi!

Mjaftoi rikthimi i shirave që Tirana të zgjohet e të vazhdojë të jetë me trafik të rënduar, që herët në mëngjes. Kur të gjithë nxitojnë për t’iu drejtuar punëve, çerdheve, kopshteve, shkollave e destinacioneve të tjera, lëvizja me makina e mjete të transportit publik është kthyer në mision (gati) të pamundur.

Automjetet në radhë të gjata, “ecin” me shumë ngadalë ose edhe jo kur iu duhet të presin për minuta të tëra që të hedhin ndonjë “hap” e nuk kursehen as të Policisë.

Radhë të gjata në çdo rrugë e kryqëzim: nga zona e Treshit deri pranë Pallatit me Shigjeta, si dhe Unaza, Lapraka, ish-Stacioni i Trenit, rruga “5 Maji”, ajo e Dibrës, “Xhanfize Keko”, Rrethrrotullimi i Saukut e deri tek Ekonomiku.

Por në bllokim, ka dhe edhe “muzikë”, nëse do të njohim si të tillë atë që krijohet nga boritë në unison të shoferëve të stresuar, siç ndodh në Indi, ku autoritetet vazhdimisht ndërmarrin fushata sensibilizuese, në përpjekje për të disiplinuar të “paduruarit”.

Nga Policia Rrugore njoftohet se po merren masa duke shpërndarë efektivët për të ndihmuar në zhbllokimin e qarkullimit.

Ndërkaq, moti i keq që sot është bërë shkak për rëndimin e trafikut në kryeqytet do të vazhdojë të dominojë. Vranësirat sjellin reshje shiu në të gjithë territorin ndërsa vazhdimisht, shirat janë me intensitet mesatar e lokalisht intensivë, sidomos në jug. Pasdite do të ketë intervale të shkurtra pa reshje. Temperaturat janë ulur e variojnë nga 6 në 23 gradë celcius.