Aktualitet

Shirat vazhdojnë, por asnjë alarm për përmbytje në vend!

Pavarësisht vazhdimit të reshjeve të shiut në të gjithë vendin, nivelet e lumenjve nuk përbëjnë shqetësim për dalje nga shtrati apo përmbytje. Sipas ministres së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca,

Deri më tani, nga inspektimet në terren të Drejtorive të Ujitjes dhe të Kullimit Lezhë, Durrës, Fier dhe Korçë, rezulton se sasitë e konsiderueshme të reshjeve të shiut që kanë rënë gjatë natës dhe po vazhdojnë ende, kanë ndikuar në rritjen e nivelit të ujit në infrastrukturën e kullimit, por pa krijuar probleme. Të gjithë hidrovoret janë në funksion të plotë dhe po punohet për mbajtjen e niveleve normale të ujit, megjithëse ka rritje të prurjeve në kolektorët kryesorë, që përcjellin ujin tek hidrovoret.

Ministrja Krifca siguron se stafet teknike të Drejtorive të Ujitjes dhe Kullimit janë në terren e po monitorojnë nga afër situatën, kryesisht për të ndërhyrë me ekskavator në rast të bllokimit nga papastërtitë e kanaleve kulluese. Gjithashtu, po vlerësohen në mënyrë dinamike nivelet e lumenjve.
Një ditë më parë, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi i druhej situatës nga reshjet e shiut në zonën problematike të Obotit që vazhdimisht përmbytet, por burime nga terreni thonë se “gjendja është plotësisht e menaxhueshme”.

Prefektja e Shkodrës, Majlinda Angoni thotë se si pasojë e shirave, Përroi i Goricës ka shkaktuar përfshirjen nga uji të rreth 150 hektarëve tokë bujqësore. Në qarkun e Shkodrës të gjitha rrugët janë të aksesueshme, por nuk këshillohet të bëhet lëvizje për turizëm në Theth, në Bogë e Qafë -Thore e kjo për arsye të lidhura me kushtet atmosferike.  Shkodra u veçua nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes edhe për problematikat e lidhura me ndërprerjet e energjisë elektrike për shkak të motit me shkarkesa (rrufe) që kanë sjellë avari.

Autoriteti Rrugor Shqiptar informon se reshjet e shumta kanë sjellë probleme në qarkullimin e automjeteve, por akset janë të kalueshme. Në akset Bajram Curri-Valbonë dhe Berat-Çorovodë pati rënie të shumta gurësh e inertesh, që u pastruan nga kontraktori dhe qarkullimi kryhet normalisht. Në Valbonë, nga km i 18-të po bien reshje bore, rruga është e hapur dhe qarkullimi vazhdon pa probleme. Drejtuesve iu kërkohet të jenë të pajisur me goma dimërore e zinxhirë.

Sa i përket parashikimit të motit, pasditja e mbrëmja sjellin pakësim të shirave sipas parashikimeve të shërbimit MeteoAlb. Era me shpejtësi 60 km në orë nga drejtimi jugor, krijon dallgëzim 5 ballë në brigjet detare. Temperaturat variojnë nga minus 2 në 14 gradë celcius.