Art & Kulturë Design

Shitet për çmimin marramendës piktura e Frida Kahlo-s!

Një pikturë e artistes meksikane, Frida Kahlo, është shitur për një çmim rekord prej 34.9 milionë dollarësh në shtëpinë e ankandeve “Sotheby” në New York. Ky është çmimi më i lartë që është paguar në një ankand për një vepër arti nga Amerika Latine.

Rekordi i mëparshëm ishte vendosur nga artisti Diego Rivera, vepra e të cilit ishte shitur për 9.76 milionë dollarë në vitin 2018. Piktura “Diego y Yo” e artistes meksikane ishte një ndër autoportretet e fundit të saj. Në pikturë paraqitet piktorja me lot dhe bashkëshorti i pikturuar në ballin e saj. Sipas gazetës amerikane, “The New York Times”, piktura u ble nga Eduardo F. Cosantini, i cili ka hapur një muze në Argjentinë.

Për herë të fundit, kjo pikturë ishte vënë në një ankand në vitin 1990, kur ishte shitur për vetëm 1.4 milion dollarë. Kahlo vlerësohet gjerësisht si një ndër piktoret më të mëdha të shekullit XX. Vepra hedh dritë mbi artisten meksikane dhe marrëdhënien e saj të trazuar me bashkëshortinn Diego Rivera-n. Kahlo e pa atë për herë të parë në 1922, kur ai ishte një artist mural me famë botërore dhe ishte 36-vjeç. Ajo ishte vetëm 15-vjeçe, por u magjeps menjëherë prej tij. Ata u takuan përsëri në 1928 dhe vitin pasardhës u martuan.

Kahlo dikur shkroi në një fletore:

“Unë kam pasur dy aksidente të mëdha në jetën time, njëra në një tramvaj që më goditi … tjetri ishte Diego”,-duke iu referuar aksidentit kur një autobus e goditi atë në moshën 18-vjeçare duke e lënë me lëndime të tmerrshme. Piktura “Diego y yo” u krijua gjatë një pike të errët gjatë martesës së tyre të dytë kur Rivera po tradhtonte piktoren Kahlo me shoqen dhe yllin e filmit, María Félix.