Aktualitet

Shitja e energjisë, KESH arkëton 2.7 milion euro të tjera/6 milion në total!

Korporata Elektroenergjetike sërish shiti energji në tregun e lirë duke arkëtuar 2.7 milion euro të tjera. Në total, deri më tani, KESH ka arkëtuar 6 milion euro. Gjatë këtij viti, korporata u detyrua të shpenzojë në importe rreth 430 milion euro për të siguruar furnizimin.

Aktualisht, Shqipëria po furnizohet nga prodhimi vendas pas reshjeve të fundit të shiut, që rritën ndjeshëm prurjet në kaskadën e Drinit.
Për shkak të reshjeve, KESH-i u detyrua të shkarkonte një pjesë të tyre për të mbajtur të kontrolluar nivelin e kaskadës. Nga momenti i nisjes së prurjeve e deri më sot, KESH ka përditësuar vetëm një ditë të dhënat e kaskadës duke mos dhënë detaje në ditët më pas për nivelet e HEC-ve, rezervën energjetike, prodhimin e prurjet. Teksa për momentin duket se Shqipëria ka një krizë më të zbutur energjie, mbetet të shihet si do të vijojë menaxhimi i situatës.

Në procedurën e fundit që parashikonte në total shitjen e 10 mijë MWh energji, çmimet për dy lotet e ndara ishin 247.77 dhe 285.75, çmime në nivelet e bursës duke siguruar të ardhura të mira për korporatën.

Ndërkohë, paralelisht me prodhimin për furnizim, si dhe shitjen e tepricave KESH tentoi të bënte depozitim për 14 700 MWh energji, por në procedurë nuk pati pjesëmarrës. Këtë energji, KESH kërkoi që ta merrte pas në muajin qershor të vitit të ardhshëm.

Për depozitim, KESH-i tentoi edhe një procedurë të dytë që kishte një total prej 20 mijë MWh energji, por për këtë procedurë ende nuk kanë dalë të dhënat nëse rezultoi apo jo e suksesshme.

Aktualisht për konsumatorët ka në fuqi një fashë energjie për konsumin mbi 800 KWh e cila edhe pse parashikonte zbatimin nga tetori nuk është aplikuar pasi qeveria vendosi ta mbante vetë këtë peshë.

Për dhjetorin edhe pse nuk ka një vendimmarrje duket se situata do të jetë sërish e njëjtë duke mos e aplikuar për shkak të kushteve të përmirësuara në kaskadë.