Aktualitet

Shiu dhe dëbora i lënë vendin ‘plazhit’, të enjten temperaturat deri në 25 gradë celsius!

Ditët e ftohta dhe me reshje intensive shiu dhe në disa zona dhe bore duket se po ia lënë vendin temperaturave relativisht të larta për pranverën.

Sinoptikania Lajda Porja thotë se të mërkurën dhe të enjten do kemi temperatura 25 gradë ose më të larta dhe deri të shtunën ditë tipike të pranverës.

“Moti ka pasur përmirësim të dukshëm. Kushtet e qëndrueshme atmosferike do jenë prezentë deri të shtunën. Përveç ditës së sotme, temperaturat pritet të rriten ndjeshëm, duke kulmuar në mesjavë, do kemi vlera 25 ose lehtësisht mbi 25 gradë ditën e enjte. Rriten temperaturat dhe në zonat malore. Na pret një javë deri të shtunën tipike e pranverës. Moti do të jetë i kthjellët. Ka sinjale që dita e diel sjell një ndryshim të kushteve. Është një sistem vranësirash që pritet të dielën dhe të hënën, megjithatë luhatja e motit dhe temp nuk do jetë kaq drastike. Shirat do jenë më të pakët. Na mbetet të shijojmë deri të shtunën temperatura të larta.Reshjet do jenë prezentë jo vetëm në prill, edhe gjatë majit. Janë reshje që kanë munguar dhe janë të domosdoshme, do i kemi prezentë dhe në pjesën tjetër të pranverës”, tha sinoptikania Porja.

Megjithatë lajmi i mirë i reshjeve të shiut ishte që niveli i liqenit në basenin më të madh ujëmbledhës në kaskadën e Drinit ka arritur në 270 metra nga 259 metra që ishte ditët e fundit të muajit mars.

Këto shifra tregojnë se që nga dita e parë e reshjeve të shiut niveli i ujit në liqenin e Fierzës është rritur me 11 metra.

Niveli maksimal i liqenit është 296 metra. Për të arritur këtë shifër basenit më të madh i duhen edhe 26 metra.