Aktualitet

Shkarkimi i Metës, Presidenca publikon dokumentet: Kuvendi falsifikoi datën e urdhrit për thirrjen e seancës plenare!

Përfaqësuesi ligjor i Presidentit të Republikës, Bledar Dervishaj këtë të hënë ka dhënë detaje lidhur me “shkeljet e pretenduara”, të kryera nga Kuvendi ditën e ngritjes së Komisionit Hetimor për shkarkimin e presidentit, Ilir Meta.

Dervishaj thotë se Kuvendit ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin, falsifikoi dokumentin për të plotësuar afatin 48 orësh që thotë rregullorja e Kuvendit se duhet plotësuar, për ta çuar në seancë plenare një vendimmarrje të komisioneve parlamentare.

Ai tregon se më 6 maj 2021 u firmos urdhri për thirrjen e seancës plenare për të miratuar ngritjen e Komisionit Hetimor. Që të thirrej në këtë datë duhet që raporti për këtë vendim të ishte miratuar 48 orë më parë, pra në datën 5 maj.

“Kur na erdhi radha të bëjmë parashtrimet tona, Kuvendi e ndjeu veten të dobët dhe menjëherë aktivizohet të nesërmen me një shkresë. Shkelja apo manipulimi i parë, urdhri që Kuvendi i vendosi në 4 shkurt Gjykatën Kushtetuese. Si çdo urdhër ka të përcaktuar në pikën 20 rendin e ditës, ku përfshihet projekt-vendim për raportin dhe propozimin e komisionit për çështjet ligjore. Këto prova shtesa nuk ia kërkoi Kushtetuesja as Presidenca. Bëmë një krahasim të përmbajtjes së këtij urdhri me urdhrin që vetë Kuvendi ka depozituar në faqen e tij që prej majtit 2021. Nuk kemi më datën 05/05 por 06/05. A mos lidhet kjo me një nga shkeljet? Të gjitha dyshimet aty të çojnë”, tha ai.

Sipas tij mbledhja e Komisionit të Ligjeve është bërë më 6 maj 2021, ndërkohë që në dokumentin e dorëzuar të premten e kaluar është bërë një falsifikim dhe thuhet se urdhri për miratimin e raportit të këtij komisioni është bërë më datë 5 maj 2021.

Dervishaj i cili publikoi edhe dokumentet që sipas tij vërtetojnë këtë falsifikim thotë se këtë urdhër që Kuvendi e dorëzoi në datën 4 shkurt 2022, janë bërë disa ndryshime në thelb.

“Të gjitha këto veprime të Kuvendit nuk ka sesi që kemi të bëjmë me një manipulim prove. Kuvendi kërkonte të justifikonte në Kushtetuese se Presidenti gaboi me pretendimet se ishin në shkelje të afateve për ngritjen e Komisionit Hetimor dhe për miratimin e raportit të Komisionit të Ligjeve”, tha Dervishaj.

Për herë të parë në historinë e saj në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese, brenda 30 ditëve do të dalë me një vendim pro ose kundër shkarkimit të Ilir Metës, si President i Republikës së Shqipërisë.

Seanca e 7 shkurtit nisi në orën 10:00 dhe me polemika mes palëve dhe jo vetëm. Përfaqësuesi ligjor i Metës, Bledar Dervishaj, ka debatuar me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese mbi mënyrën e kthimit të përgjigjeve drejtuar Presidentit.

Presidenti Meta edhe në këtë seancë nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua nga këshilltari i tij ligjor Bledar Dervishaj. Ndërkohë, nga Kuvendi në Kushtetuese u paraqiten kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka dhe kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla.