Aktualitet

Shkarkimi i Metës, vendimi i Kuvendit në Kushtetuese!

Vendimi i Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta u dërgua sot në Gjykatën Kushtetuese. Kushtetuesja ka fjalën e fundit për fatin e Kreut të Shtetit nëse do ta mbyllë mandatin 5-vjeçar në korrik të vitit të ardhshëm apo do të largohet nga detyra çka konfirmon shkarkimin e Kuvendit për shkelje të rënda të Kushtetutës.

Shkarkimi i Metës me 104 vota pro, 7 kundër dhe 3 abstenime në seancën e 9 qershorit, pasoi përfundimet në Komisionin Kuvendor Hetimor se “Presidenti ka kryer shkelje kushtetuese në mënyrë të përsëritur dhe aktet që përbëjnë shkelje kanë qenë konsistente”.

Aktet, sjelljet e qëndrimet e Presidentit që u shqyrtuan gjatë procesit hetimor, vijnë në kundërshtim me rolin dhe pozitën e tij kushtetuese.

Në ditën e votimit në Kuvend të shkarkimit, Kryeministri Rama deklaroi:

Ilir Meta i ka humbur plotësisht dhe përfundimisht të gjitha shanset që iu dhanë bujarisht, në mënyrë të përsëritur për t’u kthyer në binarët e arsyeve morale e ligjore.

Për Partinë Socialiste, “Presidenca duhet çliruar nga një pengmarrje”.  Taulant Balla ka sqaruar se nuk synojnë të caktojnë në krye të saj një emër nga radhës e Maxhorancës e bëri të ditur se për të zgjedhur Kryetarin e Shtetit do të kërkohet bashkëpunim me opozitën.

Ilir Meta akuzoi Kuvendin për veprime antikushtetuese, sipas tij, “për të larguar vëmendjen nga krimet zgjedhore të 25 prillit”. Ai shprehet i vendosur të qëndrojë në zyrë deri në përfundim të mandatit. Gjithashtu, pret përfundimin e procesit të ankimimeve për 25 prillin, që të bashkëpunojë me shumicën dhe opozitën e re.